Dhoma e Ulët e parlamentit rus, Duma, ka mbështetur një projektligj që u jep presidentëve të Rusisë dhe familjeve të tyre imunitet nga ndjekja penale edhe pasi të mos jenë në pozita udhëheqëse të shtetit.
Miratimi i këtij ligji, i cili është pjesë e ndryshimeve kushtetuese të miratuara në referendumin e mbajtur në korrik, nuk rrezikohet pasi mbështetësit e presidentit rus, Vladimir Putin dominojnë në dy dhomat e parlamentit.
Putin ka të drejtë të kandidojë edhe për dy mandate të tjera, ndonëse mandati i tij i katërt përfundon në vitin 2014.
Ky projektligj që përkujdeset për imunitetin e Putinit ka risjellë në skenë spekulimet rreth të ardhmes politike të presidentit rus. Ai ka qenë në pushtet që nga viti 2000, duke ushtruar ndikim dhe patronazh të madh.
Kritiku i Putinit, Alexei Navalny, pas këtyre zhvillimeve pyeti në Twitter se “Pse Putin ka nevojë për imunitet tani? A mund që diktatorët të tërhiqen me vullnetin e tyre të lirë?”.
Projektligji kaloi një lexim të parë në Duma të martën.