Nga 400 km mbi Tokë, Mekka ndriçon si yll! Astronauti i NASA-s publikon pamje mahnitëse të Qabes nga hapësira…
Një fotografi e rrallë e realizuar nga hapësira ka pushtuar rrjetet sociale dhe ka ngjallur reagime të shumta emocionuese në mbarë botën. Astronauti i NASA, Donald Pettit, ka publikuar një pamje spektakolare të qytetit të shenjtë të Mekka, të shkrepur nga rreth 400 kilometra lartësi, nga bordi i Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS).
Në fotografinë e realizuar gjatë natës, Mekka shfaqet e ndriçuar fuqishëm mes errësirës së shkretëtirës. Në qendër të saj, dallohet qartë një pikë e bardhë dhe shumë e ndritshme, Qabja, vendi më i shenjtë për myslimanët në mbarë botën.

Pamja është shpërndarë nga vetë Pettit në rrjetin social X, ku ai thekson se ndriçimi intensiv i kompleksit të Xhamisë së Madhe e bën Qaben të dallueshme edhe nga orbita. Fotografia u bë menjëherë virale, me mijëra komente nga besimtarë dhe përdorues të tjerë që e cilësuan imazhin si mahnitës, frymëzues dhe thellësisht prekës në aspektin shpirtëror.
Astronauti amerikan, i njohur për pasionin e tij për astrofotografinë, ka realizuar gjatë misioneve të tij në ISS një sërë imazhesh të jashtëzakonshme të Tokës gjatë natës. Por kjo pamje e Mekës, me Qaben që “shkëlqen” në zemër të qytetit, ka qenë ndër më të komentuarat.


