Qeleshet janë pjesë e pandashme e kulturës dhe traditës shqiptare ndër shekuj, ndërkohë ata gjejnë përdorim në disa zona të ndryshme si pjesë e veshjeve tradicionale, në raste festash apo edhe për përdorim të përditshëm, sidomos nga të moshuarit
FATJON CUKA
Në mesin e shumë zejeve në Shqipëri, përgatitja e qelesheve është ndër më uniket dhe është një ndër produktet artizanale shqiptare më të spikatura.
Qeleshja ose siç njihet në disa krahina plisi është një kësulë e bardhë e punuar me lesh të shkelur e të larë me sapun, e cila ka trajta e përmasa të ndryshme.
Kjo zeje është e përhapur në qytetin e Krujës dhe qeleshja gjendet në pothuajse gjitha dyqanet pazarit karakteristik të këtij qyteti.
%2F20220202_2_51995067_73237279.jpg)
Ardian Guni, është një prej qeleshepunuesve të Krujës, i cili këtë zanat e ka trashëguar nga gjyshi dhe babai i tij. Ai aktualisht punon në punishte së bashku me babain e tij Ndriçimin.
Për Anadolu Agency (AA) Guni shprehet se prej 10 vitesh ushtron këtë zanat, ndërsa ai tregon materialet që përdoren, si dhe teknikat dhe proceset e punës në punishten e tij.
“Në familjen tonë ky profesion është i trashëguar brez pa brezi, prej të paktën pesë brezash që vazhdojmë të punojmë sot e kësaj dite. Këtu çdo gjë është artizanale, duke filluar që nga shprishja e materialit dhe pastaj punohet me ujë të ngrohtë dhe me sapun”, tregon Guni.
%2F20220202_2_51995067_73237277-1-.jpg)
– Tradita e përpunimit të qelesheve është drejt zhdukjes
Sipas tij, tradita e përpunimit të qelesheve është drejt zhdukjes, sepse ai shton se teknika që përdorin pothuajse është zhdukur komplet.
“Qeleshet ndahen sipas krahinave. Është forma e Krujës që është me majë dhe e rrumbullakosur. Kemi pastaj zonën e Dibrës që është e sheshtë, kemi të Labërisë që janë pak më të larta se kjo. Kemi pastaj zonën e Lumës që janë po ashtu të sheshta dhe janë më të ulta, që janë 7-8 cm. Edhe ato të Malësisë së Dukagjinit, edhe të Kosovës janë më të rrumbullakosura”, shprehet Guni.
%2F20220202_2_51995067_73237294.jpg)
Ai tregon se për të punuar një qeleshe që është prej leshit të deles nevojiten 10-12 procese pune dhe një orë e gjysmë deri në dy orë për të përfunduar një qeleshe nga procesi i parë deri në procesin e fundit.
Guni në fund tregon se materiali që përdorin është i siguruar në Shqipëri në mënyrë që sipas tij edhe produkti të jetë 100 për qind shqiptar.
Qeleshet janë pjesë e pandashme e kulturës dhe traditës shqiptare ndër shekuj, ndërkohë ata gjejnë përdorim në disa zona të ndryshme si pjesë e veshjeve tradicionale, në raste festash apo edhe për përdorim të përditshëm, sidomos nga të moshuarit.