“Letra e Bardhë” e cila përcakton krijimin e një organi rregullator për futbollin anglez është publikuar më në fund nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Organi i ri do të kontrollojë llogaritë e klubeve angleze deri në Ligën Kombëtare, liga e pestë e futbollit në vend, me synimin primar rikthimin e tifozëve në qendër të futbollit.
Klubet gjithashtu do të duhet të demonstrojnë se kanë një model financiar solid dhe se do të duhet të miratohet për t’u bashkuar me ligën.
Përveç rregullave të rrepta ekonomike dhe financiare, organi i ri rregullator do të kujdeset për vendosjen e testeve më të rrepta të “hyrjes” për pronarët dhe administratorët e rinj të klubeve të Premier League-s dhe gjithashtu do të përcaktojë një klauzolë kundër Super League-s Evropiane.
Ky organ i ri rregullator padyshim do të ketë një kosto, që do të duhet të përballohet nga klubet. Sipas asaj që mund të lexohet në dokumentin e publikuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, “peshën” më të madhe në frontin ekonomik do ta mbajnë top klubet e Premier League, me një skemë proporcionale.
Kjo do të thotë që një minimum prej mbi 15 milionë duhet të bien në gjashtë klubet më të mira: Manchester City, Manchester United, Liverpool, Chelsea, Tottenham dhe Arsenal.