Qeveria britanike ka prezantuar të hënën, 14 mars, skemën Shtëpi për Ukrainën, për ata që duan të regjistrohen për të qenë nikoqirë të refugjatëve ukrainas.
Vetëm një orë pas prezantimit të skemës, 1,500 persona janë regjistruar në sistem.
Sekretari për Komunitet, Michael Gove, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar ka një histori të “mbështetjes së personave më të cenueshëm në periudhën më të errët”.
Nuk do të ketë kufizime në numrin e refugjatëve që mund të pranohen nëpër shtëpi, sipas skemës britanike.
Secili banor i Britanisë që strehon një refugjat, do të marrë 350 funta.
Njerëzit që duan të ofrojnë hapësira të lira për refugjatët ukrainas, të paktën gjashtë muaj, duhet të shfaqin interesimin e tyre që tani.
Ata do të mund të paraqesin emrin e një banori ukrainas që duan ta strehojnë, prej të premtes.
Aplikimet fillestare duhet të kenë informacione se personi që aplikon e njeh një individ nga Ukraina që dëshiron ta ndihmojë.
Mirëpo refugjatët ukrainas, të cilët nuk kanë lidhje familjare apo shoqërore në Mbretëri të Bashkuar, do të mund të strehohen po ashtu në kuadër të kësaj skeme, ka thënë Gove.
Qeveria britanike është përballur me kritika për shpejtësinë dhe shkallën e përgjigjes ndaj krizës me refugjatë, e cila është nxitur nga pushtimi rus në Ukrainë.
Gati tre milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës tre javë më parë.
Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL