Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Zveçan, Zubin-Potok, Leposaviq dhe në Mitrovicën e Veriut.
Mediet kosovare raportojnë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal, ka përcaktuar grupin e punës që do të merret me hartimin e Udhëzimit Administrativ për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat veriore.
Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri Elbert Krasniqi duhet që projekt-udhëzimi administrativ të finalizohet deri më 1 shtator 2023.
Grupi i punës mbështetet nga zyra e BE-së, përfaqësuesit e ambasadave dhe OSBE-ja.
Vendimi i qeverisë së Kosovës vjen pas ndërmjetësimit nga SHBA-BE për normalizimin e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit. Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar përsëritjen e zgjedhjeve në katër komunat.
Tensionet në veri të Kosovës arritën kulmin në 29 maj, kur gjatë protestave kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe të dalë nga zgjedhjet e bojktuara prej serbëve lokalë, u plagosën 30 efektivë të misionit paqeruajtës KFOR.
Për mosmarrjen e hapave konkretë nga Prishtina për zgjidhjen e krizës, Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Ndërkaq më 11 korrik, Brukseli bëri të ditur se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e forcave policore pranë ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok. Kryeministri Kurti ka deklaruar se tashmë është hapur rruga për të shtensionuar situatën në veri të vendit dhe për të mbajtur zgjedhjet e reja atje.