Qeveria e Gjermanisë ka përmbledhur përmes një kumtese zyrtare vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në pesë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Fillimisht Scholz ka vizituar Kosovën, për të vazhduar më pas me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Greqinë e Bullgarinë.
Avancimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte një nga temat që kancelari gjerman i kushtoi rëndësi të veçantë.
Teksa flet për rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, qeveria gjermane thotë se është e paimagjinueshme që dy vende të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE -së.
Sipas komunikatës, përparimi në procesin e dialogut është ndër gjërat më të nevojshme për të ndodhur tani dhe gjithashtu thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara me perspektivën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Scholz gjithashtu theksoi rëndësinë e ecjes përpara të dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Deri më sot, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e cila dikur ishte pjesë e territorit serb. Më shumë se 20 vjet pas përfundimit të luftës, NATO është ende në detyrë me misionin e KFOR-it në Ballkan për të garantuar sigurinë. Sipas kancelarit, është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjerën të bëhen anëtare të BE-së”, thuhet në komunikatën për media.