Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar kundër tërheqjes së kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), duke thënë se “kjo nuk është zgjidhje”.
Sipas Kurtit, mendim të njëjtë kanë edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Kemi thënë edhe shumë më herët, kur ishim në opozitë edhe tani, me Pakon e Ringjalljes Ekonomike do ta zbusim krizën. Por, nuk konsiderojmë që duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve mund ta zgjidhim problemin. Edhe dy ekspertë të FMN-së e kanë dhënë vlerësimin se, një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Kurti, pasi bëri homazhe te busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë.
Qytetarët e Kosovës së fundmi janë përballur me rritje enorme të çmimeve, si të produkteve ushqimore bazë, ashtu edhe të derivateve e shërbimeve të tjera.
Për t’i ndihmuar qytetarët që ta tejkalojnë më lehtë krizën ekonomike të shkaktuar, Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale. Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu në emër të Grupit Parlamentar më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.
Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. Në raportin e gjashtëmujorit të parë të 2021-së, Trusti ka njoftuar janë tërhequr rreth 200 milionë euro nga më shumë se 427 mijë kontribuues.