Qeverinë e Maqedonisë së Veriut do të organizohet një takim për të diskutuar pas vendimit të Kosovës për të vënë masa reciprociteti disa produkteve të këtij shteti.
Interesimit të Kohës Ditore për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria e shtetit fqinj, Zyra e zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut i është përgjigjur me kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë. E në të bëhet me dije se kjo Ministri, “të hënën do të organizojë takim me autoritetet dhe institucione përkatëse për të zgjidhur problemin që rrjedh nga prezantimi i masës për eksportet e patateve dhe mjaltit nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës”.
Në mbledhje, sipas njoftimit, do të marrin pjesë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Drejtoria e doganave, Agjencia për ushqim dhe veterinari dhe institucione të tjera.
“Në takim pritet të ndërmerren aktivitete për të zgjidhur pasojat e masës së prezantuar nga Republika e Kosovës. Sa i përket pretendimeve nga pala kosovare se nuk është dhënë asnjë përgjigje për zgjidhjen e çështjes së importeve të vezëve dhe peshqve të rinj nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ministria e Ekonomisë si dhe autoritetet tjera kompetente në vend menjëherë kanë njoftuar palën e Kosovës se masa është ndërmarrë në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian për importin e këtyre produkteve. Kjo është në përputhje me Marrëveshjen e OBT-së për masat sanitare dhe fitosanitare, ku Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare që nga 2003”, thuhet në njoftim, përcjell Koha.net.
Në njoftimin e ME-së së Maqedonisë thuhet gjithashtu se sipas rregullave të CEFTA-s, Ministria e Ekonomisë që në muajin qershor në takime të rregullta të CEFTA-s i është përgjigjur palës kosovare për këtë çështje dhe gjithashtu Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka informuar palën kosovare se legjislacioni i ri ishte miratuar në përputhje me rregulloren evropiane.
“Periudhën e kaluar, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë përpjekje intensive për të kapërcyer problemin në mënyrë që të merren informacione adekuate për gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe peshqve, por të dhëna të tilla nuk janë marrë, megjithëse është kërkuar disa herë nga institucioni kompetent në Republikën e Kosovës. Përfaqësuesit e tyre kanë theksuar se sistemi i mbikëqyrjes për sëmundjet e peshqve në Republikën e Kosovës nuk monitorohet”, thuhet në njoftim.
Sidoqoftë, Republika e Maqedonisë së Veriut, thuhet në njoftim, gjatë kësaj periudhe ka pasur kontakte intensive me institucionet kompetente nga Republika e Kosovës për të kapërcyer situatën gjatë importimit të këtyre produkteve, por nuk u morën të dhëna për të konfirmuar gjendjen shëndetësore të produkteve të përmendura nga institucion i akredituar në Republikën e Kosovës.
Sot, ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka vendosur masa reciprociteti ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë Veriore, me arsyetimin se kjo e fundit është duke aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të Republikës së Kosovës.
Përmes një njoftimi për media, Shala ka theksuar se që nga qershori i këtij viti kur produktit të Kosovës, rasadit të peshkut i janë vendosur barrierat tarifore nga ana e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka dërguar ankesa përmes sekretariatit të CEFTA-së dhe po ashtu iu ka drejtuar me letër ministrit të ekonomisë, por që nuk kanë reflektuar.