Të gjithë shtetasit që vijën nga Ukraina për shkak të luftës apo edhe ata që kanë ardhur më herët do të kenë një afat qëndrimi në Shqipëri deri në 2 vite.
Qeveria ka vendosur ditën e sotme që ky afat nga 1 vit të bëhet 2 vite duke lehtësuar qëndrimin e ukrainasve në vendin tonë.
Propozimi është bërë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka.
Shqipëria mikëpriti refugjatët nga Ukraina pas nisjes së luftës duke hapur dyert dhe lehtësuar qëndrimin e tyre në vendin tonë.
Fillimisht vendimi për hyrjen e shtetasve nga Ukraina u bë në mars të 2022, një muaj pas nisjes së luftës, ku ukrainasit u detyruan të linin shtëpitë e tyre për shkak të bombardimeve nga lufta që nisi Rusia në të gjithë vendin dhe e vijon ende.
Vendimi i plotë
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.169, DATË 18.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES DHE QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.169, datë 18.3.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, togfjalëshi “… 1 (një) vit …” zëvendësohet me “… 2 (dy) vjet …”.
Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Reklama
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA