Së paku 800 persona kanë vdekur nëpër botë për shkak të dezinformatave lidhur me COVID-19 në tre muajt e parë të këtij viti, thonë hulumtuesit, raporton BBC.
Në një studim të publikuar nga “American Journal of Tropical Medicine and Hygiene”, është thënë se rreth 5800 persona janë shtrirë në spital si rezultat i informatave të gabuara në rrjetet sociale.
Shumë kanë vdekur duke pirë metanol apo produkte pastrimi me bazë alkooli.
Ata gabimisht kanë besuar se produktet janë ilaç për virusin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më herët ka thënë se dezinformatat lidhur me pandeminë COVID-19 po përhapen po aq shpejt sa vet virusi, me teori konspiracioni, thashetheme dhe stigma kulturore duke kontribuuar në vdekjet dhe lëndimet.
Shumë nga viktimat kanë ndjekur udhëzimet që i ngjanin informacioneve të besueshme mjekësore – ngrënia e sasisë së madhe të hudhrave apo edhe konsumimi i sasisë më të madhe të vitaminave – si mënyrë për të parandaluar infeksionin, thonë autorët. Të tjerët kanë pirë substanca si urinë të lopës për të evituar infeksionin.
Këto veprime kanë “ndikime serioze” në shëndetin e tyre, thonë hulumtuesit.
Në hulumtim thuhet se është përgjegjësi e agjencive ndërkombëtare, qeverive dhe platformave të rrjeteve sociale për të luftuar këto dezinformata. Por kompanitë teknologjike janë kritikuar për veprimet e ngadalshme dhe të ngathëta.