Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Srpska për zgjedhjet lokale, Grupi i Quintit (Francë, Gjermani, Itali, Mbretëri e Bashkuar, SHBA) dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë shprehur shqetësim të thellë. Në një reagim të përbashkët, ata theksojnë se “çdo veprim për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës”.
Reagimi vjen pas votimit të djeshëm në KQZ, ku rekomandimi për certifikimin e Listës Srpska mori vetëm dy vota pro, dy kundër dhe shtatë abstenime, duke e lënë atë jashtë garës për zgjedhjet e 12 tetorit.
Quint dhe BE kërkuan që të gjitha procedurat të kryhen në përputhje të rreptë me rregullat dhe mandatin e KQZ-së dhe i bënë thirrje qeverisë në detyrë dhe të gjitha partive politike të “përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive”.
Në fund të reagimit, ata inkurajuan Listën Srpska të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore, përfshirë Panelin për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore (PZAP), për të kërkuar zgjidhje.
Përjashtimi i Listës Srpska nga zgjedhjet lokale, dorëzohet ankimimi në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa
Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, ka dorëzuar një ankesë në Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi të mos e certifikojë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ky vendim ka shkaktuar një reagim të fortë nga Serbia, ku Ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq, e cilësoi atë si “një shembull flagrant të inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.
Përfaqësues të Listës Srpska e quajtën vendimin e KQZ-së “të paligjshëm dhe diskriminues”, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Kryetari i Listës Srpska, Zllatan Ellek, tha se ky veprim synon “të ndajë trupin politik serb” dhe shtoi se do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për të siguruar certifikimin e kandidatëve të tyre.
Vendimi i KQZ-së erdhi pasi anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit, duke argumentuar se eksponentë të Listës Srpska janë pjesë e strukturave paralele serbe, gjë që është kundërligjore. Ndërkohë, anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës abstenuan.