Mijëra persona nuk kanë përfillur ndalesën e policisë duke u mbledhur me qirinj në Hong Kong të enjten për të shënuar përvjetorin e shtypjes së përgjakshme të protestave në sheshin Tiananmen nga autoritetet kineze në vitin 1989 dhe kanë akuzuar Pekinin për shkelje të lirive edhe në territorin gjysmë-autonom.
Duke u takuar në parkun Victoria në Hong Kong, disa kanë thirrur slogane “Fund i udhëheqjes nga një parti” dhe “Demokraci për Kinën”, ndërsa kanë shkelur ndalesën e policisë për vigjiljen e përvjetshme. Policia kishte arsyetuar ndalesën me rrezikun nga përhapja e koronavirusit.
“Ne vetëm jemi duke kujtuar ata që kanë vdekur më 4 qershor, studentët që u vranë. Çfarë kemi bërë keq? Për 30 vjet ne vijmë këtu në mënyrë paqësore dhe të arsyeshme”, ka thënë Kitty 70-vjeçare, një amvise.
Përvjetori vjen në një periudhë të ndjeshme për ish-koloninë e Britanisë, pasi Kina muajin e kaluar ka propozuar projektligj për siguri, sipas të cilit ndalohet mosrespekti i himnit nacional të Kinës.
Në Pekin, siguria rreth Sheshit Tiananmen, një atraksion i popullarizuar turistik në zemër të qytetit, ka qenë më e ngjeshur, ku janë parë më tepër policë.
Në Hong Kong, që ka raportuar rastin e parë lokal me koronavirus me javë, policia ka thënë se tubimi në masë do të rrezikojë shëndetin publik. Por, disa mijëra janë mbledhur në parkun Victoria dhe kanë mbajtur një minutë heshtje.
Edhe në pjesët tjera të qytetit, qytetarët kanë dal në rrugë dhe ka ndezur qirinj, duke marshuar në mënyrë paqësore.
“Ne jemi të frikësuar se kjo është hera e fundit që do të kemi një ceremoni të tillë, por qytetarët e Hong Kongut gjithmonë do ta mbajnë në mend se çfarë ka ndodhur më 4 qershor”, thotë Brenda Hui (24) ndërsa ishte me një shok dhe mbanin një çadër ku shkruante “Kurrë mos harroni 4 qershorin”.