Në ditën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, qytetarët e parë që votuan në komunën e Preshevës, kërkojnë respektim më të madh të drejtave të shqiptarëve.
Xhevdet Alimi tha për KosovaPress, se është e rëndësishme për secilin qytetarë të dalë të votojë për ardhmen e vet.
“Ne për dikë duhet patjetër me u orientu, tek cili, tash secili e din për veti. Kryesorja është me dalë të gjithë me votu për neve, që me pas një në parlament atje. Sidoqoftë zëri jonë nuk ndihet, por me marrë pjesë është shumë mirë. Duhet me u bashku, patjetër me u bashku, jemi vëllezër”, tha ai.
Ndërsa, qytetari tjetër Ramit Mehmeti, tha se primare për gjitha partitë politike duhet të jetë uniteti.
“Pritjet e mija janë bashkimi veç bashkë me u bërë, s’është me rëndësi kush po e merr cila parti, por veç bashkë me bërë, troç… sa më shumë duhet me rini me punu”, tha ai.
Nga ana tjetër, koordinatori i komisionit zgjedhor, Alban Mehmeti, tha se i gjithë procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe se deri më tani s’ka asnjë parregullësi.
Por interesimi i qytetarëve është i vogël në orët e para të mëngjesit.
“Procesi i votimi ka nisur në ora 07:00 të mëngjesit, gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe për momentin nuk ka asnjë parregullsi…në këtë vend janë tri qendra të votimit, për momentin nuk kemi të dhëna sa votues kanë dal deri tash”, tha ai.
Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.
Në garë janë koalicioni i Shqiptareve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi./KP/