Qyteti italian i Triestes po shndërrohet, së fundmi, në një destinacion gjithnjë e më popullor nga turistët që duan të zbulojnë peizazhe të reja urbane.
Jehona e një të kaluare prestigjioze
Shtrirë pranë detit blu dhe shkëmbinjve të bardhë, Trieste – dikur një port i madh i Perandorisë Austro-Hungareze dhe sot port i madh tregtar italian – është një qytet që ngjall emocione. Jehona e së kaluarës ndihet në çdo detaj të arkitekturës së saj klasike dhe hapësirave kulturore.
Kozmopolitane
Trieste në rrjedhën e historisë ka qenë një muzë e vërtetë frymëzimi. Trashëgimia e një të kaluare kozmopolite dhe e një tradite laike, ka lejuar bashkëjetesën e popujve dhe feve të ndryshme. Ky konglomerat kulturor i ofron turistëve shumë ide për të kaluar një fundjavë të këndshme ose një periudhë pushimesh pranë detit dhe kështjellës së bukur Miramare.
Trieste e një mijë kulturave
Duke nisur nga zonat arkeologjike me Teatrin Romak dhe Kopshtin Lapidar, te trashëgimia neoklasike e qytetit të vjetër e deri te qendrat tregtare moderne, Trieste gërsheton gjurmë të epokave të ndryshme kohore. Gjithashtu, është konsideruar si metropoli i monumenteve të mëdha, ku turistët kanë mundësi të vizitojnë katedrale, kështjella, muze dhe galeri të shumta. Nuk mungojnë as sheshet tipike italiane, kafenetë dhe restorantet tipike vendase. Një vend i preferuar për vizitorët është edhe Porti i Detar historik, por edhe Porti i Ri.
Piazza madhështore Unità
Për ta vizituar, këshillohet të parkoni makinën diku larg dhe të ecni në këmbë, deri sa të mbërrini në Piazza Unita d’Italia. Ky shesh konsiderohet si sheshi më i madh dhe më i bukur italian me pamje nga deti. Në qendër, ndër të tjera, do të gjeni kafenetë e famshme historike (Tommaseo, San Marco, Caffè degli Specchi…), teatrot, dyqanet dhe bufetë ku mund të shijoni kuzhinën autentike triestine.