Presidenti aktual bullgar, Rumen Radev duket se është rizgjedhur në post me një diferencë të konsiderueshme votash, sipas disa parashikimeve.
Ai mund të marrë më shumë se 65 për qind të votave, ndërsa kundërshtari i tij, Anastas Gerdzhikov fitoi rreth 33 për qind të dielën, sipas parashikimeve.
Rezultatet përfundimtare zyrtare nuk kanë dalë ende, por Gerdzhikov pranoi humbjen.
”Bullgaria tani është në rrugën e zhvillimit, lirisë dhe modernizimit”, tha Radev.
Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare një javë më parë, ai tha se shoqëria priste “një shumicë të qartë politike” për të vazhduar me reformat e menjëhershme gjyqësore.
Radev u zotua se do të parandalonte një krizë sociale ose ekonomike këtë dimër.
Disa fusha kyçe kërkojnë vëmendje në Bullgari që nga lufta kundër korrupsionit deri te pandemia.
Një qeveri koalicioni po shfaqet tani në Sofje, e cila ka të ngjarë të punojë ngushtë me Radev.
“Rumen Radev është presidenti me të cilin do të vazhdojë ndryshimi”, tha Kiril Petkov, bashkëdrejtues i partisë së re kundër korrupsionit “Vazhdojmë ndryshimin” (PP).
Partia fitoi së fundmi zgjedhjet parlamentare dhe është e afërt me Radevin.
Pjesëmarrja e votuesve ishte më pak se 40 për qind, madje më e ulët se në raundin e parë të votimit të një jave më parë, sipas sondazheve fillestare, por kjo nuk ka asnjë efekt në vlefshmërinë e balotazhit.
Instituti i sondazheve ”Alpha Research” publikoi gjithashtu një parashikim të ngjashëm për rezultatin e raundit të dytë të votimit.
Analistët politikë kishin parashikuar se gjenerali në rezervë 58-vjeçar Radev kishte më shumë gjasa të fitonte.
Balotazhi ishte i nevojshëm, pasi Radev humbi rizgjedhjen në raundin e parë të votimit një javë më parë, me rreth 49 për qind të votave.
Gerdzhikov doli i dyti me rreth 22 për qind.
Asnjë sondazh nuk u publikua para balotazhit.
Një ish-pilot ushtarak dhe shef i forcave ajrore, Radev ishte zgjedhur në vitin 2016 me mbështetjen e socialistëve.
Radev është një kritik i ashpër i ish-kreut të qeverisë Bojko Borisov, administrata e të cilit akuzohet për korrupsion.
Radev është ende i mbështetur nga socialistët dhe gjithashtu nga partitë e reja.
Profesori Gerdzhikov, rektor i Universitetit të Sofjes, kandidoi si një kandidat i pavarur i mbështetur nga Borisov.
I diplomuar në universitetin ”Humboldt” të Berlinit, ai mori mbështetjen indirekte të partisë së pakicës turke DPS përpara zgjedhjeve.