Radhët kilometrike në kufirin shqiptaro-grek që kanë tensionuar situatën e shqiptarëve që duan të hyjnë e të dalin përmes Kakavijës, kanë sjellë edhe reagimin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lleshaj ka një thirrje për qytetarët.
“Të informohen për gjendjen në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë përpara se të ndërmarrin udhëtim drejt tyre, me qëllim që të shmangen sa të jetë e mundur pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta”.
Sipas ministrit, kjo situatë është krijuar për shkak të procedurave të reja të testimit për Covid-19.
Postimi i plotë i Sandër Lleshajt:
Procedurat e reja të testimit për Covid-19 në kufirin shqiptaro-grek kanë krijuar radhë të gjata bashkë me problemet e pashmangshme shoqëruese.
Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar.
Në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme po bëhen përpjekje për të kërkuar para autoriteteve greke gjetjen e mundësive për përshpejtimin e procedurave të testimit dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.
Ministria e Brendshme u bën thirrje qytetareve që të informohen për gjendjen në Pikat e Kalimit Kufitar me Greqinë përpara se të ndërmarrin udhëtim drejt tyre, me qëllim që të shmangen sa të jetë e mundur pritjet e gjata në kushtet e temperaturave të larta.