Mikrobiologu Lul Raka, ka thënë se në Kosovë nuk është problemi me shtretër për hospitalizim të pacientëve me koronavirus.
Ai në Interkativ të KTV-së tha se në Klinikën Infektive janë 120 shtretër, po ashtu edhe klinikat tjera janë të gatshme të presin pacientët me koronavirus, por sipas tij, respiratorët janë ata që duhet numëruar.
“Klinika Infektive ka 120 shtretër, ka klinika tjera të gatshme, por nëse rritet numri i personave që kanë nevojë për kujdes intensiv mbi 120 (sa respiratorë janë përafërsisht v.j.), atëherë kemi me u fut në lëkurën e Spanjës dhe një pjesë të Italisë. Prej informatave që kam, pesë veta janë në gjendje të vështirë, njëri pak më rëndë”, tha ai.
Ai shtoi se bazuar në përvojën e Spanjës e Italisë, kulmi pritet të ndodhë më vonë.
“Ne presim në ditët në vijim rritjen e rasteve, por sa do të zgjasë piku nuk e dimë. Në fund të kësaj jave do të shohim çdo ditë e çdo orë se kah po shkon ajo lakore. Ky cikël ka zgjatur disa javë në Kinë. Te ne mund të zgjasë, dy-tri javë, një muaj ditë. Nuk është punë e sprintit, duhet të përgatitemi për maratonë”, ka shtuar Raka.
Mikrobiologu ka përsëritur se mënyra më e mirë, pasi ilaç nuk ka, është parandalimi. Është edhe arma më e mirë dhe më e lirë ,tha ai.
“Kështu ia presim këmbët virusit. E kemi shembullin më të mirë, atë të Stubllës ku ka pasur disiplinë dhe ku përhapja është e kufizuar me masat që i ka marr vet fshati, banorët. Por kemi edhe raste të papërgjegjësisë të qytetarëve që mblidhen, pasi personi i infektuar kulmin për të infektuar e ka dy ditë para se me i shfaq simptomat. Prandaj kërkesa jonë është me qëndru në shtëpi. Në këtë fazë rreziku më i madh janë personat asimptomatikë”, u shpreh Raka.
Ai foli edhe një herë nëse virusi rri apo jo në ajër. Sipas tij, ai shpërndahet vetëm nëpërmes spërklave. Po ashtu tha se popullata nuk ka nevojë të bartë maska. Është rekomandim i Organizatës Botërorë të Shëndetësisë.
“Tjetër gjë është puna e kulturave, ne i kemi pa aziatikët me maska edhe para shumë vitesh, por kjo është kulturë e tyre. Ata janë arsyetuar se kur i kanë maskat nuk e prekin fytyrën”, shtoi ai.
Foli edhe për ndihmat që Kosova ka marrë ditëve të fundit, si nga BE-ja, SHBA-ja e të tjera vende e organizata.
“Çdo ndihmë është e mirëseardhur, çdo respirator, çdo maskë, çdo pajisje mbrojtëse shpëton jetë. Shpëton jetën e punëtorëve shëndetësorë”, tha Raka.