Ralf Gjoni thotë se as nuk ka tradhtuar dhe as nuk është blerë nga njeri.
Ai në mbyllje të seancës, pasi u betua më herët si deputet, tha se tradhtarë janë ata që braktisën parlamentin.
“Tradhti është fjalë shumë e madhe. Është përdhunuar fjala gjatë 70 viteve të fundit, sidomos gjatë komunizmit ku tradhtia ndaj vendit dhe shtetit u përkthye në tradhtinë ndaj partive. Përkundrazi, ata që kanë tradhtuar, janë ata që braktisën parlamentin. Këtë ka thënë Uashingtoni, këtë ka thënë Brukseli, Parisi, Londra. Çfarë kemi tradhtuar? Kemi marrë një përgjegjësi që na takon sipas Kushtetutës dhe ligjit për të mbajtur në këmbë Parlamentin. Nuk ka asnjë shans që emri im të asociohet me prishjen e institucioneve. Edhe në momente të vështira si 21 janari unë kam qenë pro shtetit”, tha Gjoni.
Gjoni është deputeti i 94 që u betua në Kuvend, çka i jep mundësi Kuvendit për ndryshime kushtetuese.
Por Gjoni ishte i qartë kur tha se shkarkimin e presidentit Meta nuk do ta votonte, të paktën jo përsa kohë nuk merr zgjidhje kriza politike./Ora News/