Rreth 600 milionë dollarë do të dalin nga buxheti i shtetit për procesin e rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar.
Gjatë inspektimit të kantierit të ndërtimit në Fushë Krujë, kryeministri Edi Rama bëri me dije se lista e përfituesve është e mbyllur, pasi janë evidentuar të gjithë.
Me qindra familje kanë mbetur pa një çati mbi kokë pas tërmetit të 26 nënëtori, i cili shkaktërroi objekte të shumta banimi, sidomos në Durrës, Thumanë dhe Fushë Krujë.
Sot Kryeministri Rama vizitoi kantierin e ndërtimit në Fushë Krujë, në të cilin është projektuar të ndërtohet një lagje e re banimi me 100 apartamente dhe 128 njësi individuale, ku do të strehohen rreth 1100 banorë.
“Gjithçka që do u ofrohet atyre që u prekën është shumë shumë herë më cilësore dhe më dinjitoze se ata që kishin”, tha Rama.
Ndërkohë që Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj tregoi edhe shumën që do të dalin nga buxheti i shtetit për këtë proces.
“Do të financohen 340 milionë dollarë, pra 34 miliardë lekë vetëm nga buxheti i shtetit për rindërtimin këtë vit dhe 250 milionë dollarë, 25 miliardë lekë vitin tjetër” , tha ai.
Në Bashkinë e Krujës do të rindërtohen 12 objekte arsimore, të cilat kanë pësuar dëmë nga tërmeti i 26 nëntorit.