Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ashpëruar sot tonet me Serbinë.
Ai ka reaguar sërish në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe duke paralajmëruar një bllokim të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Serbisë nese kjo e fundit nuk liron policët kosovar.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, tha Rama në një postim në Twitter, raporton Telegrafi Shqipëri.
Rama shton në reagimin e tij se nëse do të ketë çtensionim të situatës atëherë e humbura e madhe do të jetë Kosova.
Ai shton se sa më shumë këmbëngul Kryeministri Albin Kurti në qëndrimin e tij aq më shumë rrezikohet të formohet një “Republikë e KFOR-it” në veriun e Kosovës.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!””, tha ai.
“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shton Rama.