Në një deklaratë për media nga Spitali i Traumës, ku vizitoi të plagosurit, kryeministri Edi Rama tha se dita e sotme do të shënohet si një ndër ditët më të këqija për popullin shqiptar.
Rama u shpreh se të gjithë ata që i kanë ardhur në ndihmë qytetarëve, janë heronj të kësaj dite.
“Kjo ditë është me e keqja që kurse nuk mbahet mend për të gjithë popullin dhe kombin shqiptar. Fatkeqësisht janë humbur jetë njerëzish. Por kjo ditë ka pasur edhe lehtësimin shpirtëror nga jo pak jetë të shpëtuar. Kjo ditë ka qenë dita e gjithë atyre njerëzve të zakonshëm që me uniformën e Policisë së Shtetit, FA, zjarrfikësve, apo edhe uniformën e trupave speciale të ardhura nga Kosova kanë qenë të gjithë heronj të kësaj dite. Bluzat e bardha që në ditët me diell jemi mësuar t’i përgojojmë pa hesap, sot kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në krye të detyrës për të shpëtuar njerëzit, për të kuruar plagë dhe trauma”, tha ai.
Rama thekson se bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar, sepse ende ka persona nën rrënoja, por shpreson që ata të dalin të gjallë.
“Për fat të keq bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar, por lus zotin që të mos ketë përfunduar as bilanci i jetëve të shpëtuar nga rrënojat, ku ende shpresojmë që të marrin frymë njerëz që do ti nxjerrim. Sa e rëndë aq edhe e mbushur me emocione është solidariteti i jashtëzakonshëm i shqiptarëve dhe i miqve të këtij vendi që janë ngritur në këmbë me një frymë”, theksoi kryeministri Rama./Ora News/