Edhe zyrtarisht, Gent Cakaj të martën e ka dorëzuar detyrën e ministrit për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë. Në ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga Cakaj foli edhe kryeministri Edi Rama.
Fillimisht Cakaj tha se “e ka konsideruar të përmbushur misionin e tij”.
Rama e falenderoi Cakajn, duke thënë se ishte i detyruar ta kryente detyrën në një ngërç të krijuar nga presidenti Ilit Meta, shkruan Gazeta Express.
“Faleminderit për përkushtimin në krye të kësaj detyre, duke qenë i detyruar të kryesh detyrën në mënyrë të penguar si rezultat i një ngërçi absurd të krijuar institucionalisht. S’kam nevojë të zgjatem sepse dihet historia tanimë. Përtej kësaj në këtë periudhë detyrat jo të lehta dhe kohët jo të lehta që ka kaluar ky institucion janë përballur me profesionalizëm dhe sukses. Për mua ka qenë një barrë e shtuar dhe në kushte të tjera do të ishte krejt e panevojshme sepse Genti i ka pasur dhe i ka të gjitha kapacitetet për ta mbajtur këtë barrë plotësisht, por nga detyrimi i pashmangshëm për ta përfaqësuar Shqipërinë edhe formalisht në nivelin më të lartë të këtij institucioni në kryesimin e OSBE-së dhe për të mos lejuar për shkak të formalitetit mungesa e ministrit të jashtëm të kthehej në mundësi për të krijuar keqkuptime brenda familjes së OSBE e mora këtë angazhim”, tha Rama.
“Dua ta falënderoj Gentin për gjithçka që bëri në këto dy vjet në këtë detyrë aspak të lehtë dhe përtej faktit që u godit në mënyrë sa absurde aq dhe të shëmtuar dhe për të qenë i paragjykuar ua doli ta mbajë me sukses barrë dhe të tregojë hap pas hapi të gjitha cilësitë e tij”, shtoi ai.
Çakaj dha dorëheqje nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm në fund të vitit që sapo shkoi. Të hënën, Kuvendi i Shqipërisë votoi pro shkarkimit të Cakajt, ndërsa Olta Xhaçka mori këtë detyrë.