Kryeministri, Edi Rama, ftoi edhe njëherë nga Beogradi Kosovën dhe Bosnjen ti bashkohen nismës Ballkani i Hapur.
Në konferencën e përbashkët me presidentin serb dhe përfaqësuesin e Maqedonisë së Veriut ai shprehur bindjen se prania e Kosovës në këtë nismë do të relaksonte dhe procesin e saj të dialogut me Serbinë.
Paralele hoqi sërish me marrëdhëniet Gjermani-Francë.
Edi Rama: Kur vjen puna për Kosovën është e thënë, e rithënë e stërthënë publikisht, edhe këtu dhe çdo takim që unë bëj me të gjithë partnerët ndërkombëtarë që të tre vendet pa dallim janë të ftuara të vijnë dhe të ulen dhe të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre. Pastaj çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vet, ka rrugën e vet. Por një gjë duhet ta dini të gjithë, është bindja ime, nëse të 6 vendet marrin pjesë atëherë dhe për Kosovën dhe për Bosnjen do të jetë shumë më mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet e tjera.
Se më japin leksione herë pas here, më tregojnë Gjermaninë dhe Francën kur unë tregoj Gjermaninë dhe Francën dhe them që shqiptarët e serbët janë për Ballkanin si gjermanët dhe francezët për Europën dhe ja kanë borxh gjeneratave të tjera sot që të bëjnë për Ballkanin dhe mes tyre atë që bëjnë gjermanët dhe francezët. Më tregojnë historira që nuk janë të vërteta.
Gjermania dhe Franca nuk e filluan nga fundi, e filluan nga bashkëpunimi ekonomik, marrëveshja e çelikut dhe qymyrit, marrëveshja për shkëmbimin e të rinjve, lehtësimi i punës së sipërmarrjeve, aty ku i dhimbte popullit pas luftës, nga buka dhe pastaj panë që bashkë janë shumë më mirë sesa ishin kur përplaseshin me njëri-tjetrin. Më vjen mirë që presidenti këtu e nënvizoi, nuk ka asnjë kufizim për askënd për të folur për të gjitha liritë e BE, të lëvizjes së njerëzve, kapitaleve, shërbimeve dhe mallrave, të gjithë janë të ftuar të vijnë.