Gjashtë muaj pas krizës politike, mazhoranca ka bërë hapin konkret për dialog me opozitën jashtë parlamentit. Kreu i qeverisë, Edi Rama i ka drejtuar një ftesë publike, kryetarëve të partive opozitare, Lulazim Basha , Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu.
Rama thotë se kërkon të krijojë një hapësirë për dialog pa kushte për Reformën Zgjedhore.
“Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu. Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë”, shprehet Rama në ftesën drejtuar opozitës jo parlamentare.
Rama deklaron se edhe pse procesi i reformës zgjedhore ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare, kjo nuk përjashton opozitën jashtë që të jetë pjesë e këtij diskutimi. Ndërsa le të kuptohet se zgjedhjet e ardhshme do të jenë në 2021.
“Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte”, shkruan ndër të tjera Rama.
Ftesa e Ramës për opozitën
FTESE PUBLIKE DREJTUESVE TE OPOZITES JOPARLAMENTARE Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu
Të nderuar zotërinj, e nderuar zonjë,
Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore.
Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu.
Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.
Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte.
Ju faleminderit
EDI RAMA
Tiranë, 18 shtator 2019