Kryeministri Edi Rama thotë se Greqia nuk do të marrë detin e Shqipëri, teksa deklarata e Mitsotakis për 12 miljet në Jon, i referohet detit të përbashkët dhe nuk ka asnjë lidhje me paktin mes dy vendeve.
Nga Vjena, Rama ka thënë gjithashtu se Presidenti Meta duhet të ‘rrijë i qetë’, pasi nuk do të bëhet asnjë ‘rafting’ me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Rama: Deklaratat e kryeministrit grek për zgjerimin e ujërave të Greqisë nuk ka lidhje me ujërat tanë dhe me marrëveshjen që po punojmë dhe nuk e kemi arritur akoma me palën greke, nuk ka lidhje me asgjë me ato që janë thënë në mënyrë të qëllimshme. Shtrirja në 6 milje është një e drejtë e cdo vendi, Shqipëria e ka ushtruar, ne jemi shtrirë në ujërat tanë me 6 miljet që në vitin 1990. Mes ujërave territoriale ka ujëra ndërkombëtare, njëlloj sikur ka rrugë mes vendbanimeve dhe shteteve për të kaluar, ka edhe rrugë për të kaluar në det që janë të përbashkëta dhe marrja nga kjo rrugë e përbashkët në mënyrë simetrike të përcaktuar nga konventa, është e drejtë e cdo shteti.
Meta të informohet mirë, të mos ngatërrojë Kushtetutën e Shqipërisë me të drejtën e Greqisë për t’u shtrirë në ujërat e përbashkëta. Të bëjë atë që duhet të bëjë. Kjo është si puna e kanioneve të Skraparit. Meta të jetë i qetë, s’ka rafting me Kushtetuesen.