Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se është i bindur se do të fitojë në balotazh ndaj kundërkundidatit të VV-së, Arben Vitia.
Përmes Facebookut, Rama ka falënderuar votuesit për mbështetjen, derisa ka shtuar se kryeqytetit i duhet frymë dhe shërim nga kaosi urban.
“E unë, do t’i përvishem punës me e bë pikërisht këtë. Bashkë me ekipin tim, këtë garë po e vazhdojmë me guxim, sepse vetë historia e ka dëshmuar se ata që guxojnë, dhe vihen në shërbim të së mirës së përbashkët, mund ta bëjnë ndryshimin e madh. Kjo nuk është vetëm ëndërr, por plan konkret e praktik lehtësisht i jetësueshëm me përkrahjen tuaj”, ka shkruar ai.
Kandidati i LDK-së tha se javën e ardhshme do të takohet me qytetarët “për t’u treguar banorëve të Prishtinës se sa i rëndësishëm dhe jetik është për qytetin dhe fshatrat tona vizioni ynë për transformimin rrënjësor të Prishtinës”.
“Këto ditë, do t’ua shtrijmë dorën të gjithë qytetarëve të Prishtinës pa dallim, sepse kjo fitore është për të gjithë ju, përtej bindjeve tuaja partiake. Unë ju ftoj që t’i bashkoheni rrugëtimit tonë të fitores.”