Rama përmes një video në Facebook, i përgjigjet komentuesit se emigrantët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi, i cili thotë se emigrantet nuk kanë pse të votojnë me postë, por të vinë në Shqipëri dhe të votojnë. Rama përmes një video në Facebook, i përgjigjet komentuesit se emigrantët e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë.
Rama gjithashtu shprehet se emigrantet e vlerësojnë dallimin mes asaj që shohin kur vijnë dhe asaj që kanë parë kur kanë ardhur herën e kaluar. Po ashtu Kryeministri premtoi se në 2030 Shqipërinë do ta çojë në majë dhe do të jetë pjesë e BE si barabartë mes të barabartësh.
“Unë mendoj se emigrantët e dinë mirë, madje shumica dërrmuese e tyre, janë më të kthjellët sesa ne për të paktën 3 gjëra themelore. E para, ata janë më të kthjellët në vlerësimin e shkallës së përparimit të Shqipërisë sepse nga njëra anë patjetër s’i kanë gërr mërret e përditshme të jetës së këtushme që shpesh na lodhin të gjithëve por nga ana tjetër, kanë mundësinë të vlerësojnë më kollaj dallimin mes asaj që shohin kur vijnë dhe asaj që kanë parë kur kanë ardhur herën e kaluar. E dyta, emigrantët nuk kanë iluzione për jetën atje ku janë dhe shpeshherë as nuk i kuptojnë ankesat tona për faktin se kafet dhe restorantet janë plot por ata që rrinë më shumë ulur ankohen më shumë se s’ka bukë, rrugë, ujë, punë. Emigrantët punojnë fort, shumë fort, shpesh bëjnë nga dy punë. Atje nuk ka kushëri, krushqi, parti e punë në shtet.
Emigrantët paguajnë fatura pas faturash dhe lodhen shumë për të përballuar kostot që janë rritur eksponencialisht në Evropë krahasim me pagat që ata marrin. E treta, emigrantët dinë ta vlerësojnë më shumë sesa ne rëndësinë e imazhit dhe reputacionit të Shqipërisë jashtë kufijve, që deri dje iu kthehej kohës atyre vetë që i shikonin si të ardhur nga një vend shejtanësh. Ndërsa sot ata po e thonë cdo ditë e me gojën më plot, jam nga Shqipëria sepse i kemi dhënë dinjitet që s’e ka pasur kurrë në botën e jashtme dhe do ta ngjisim në majën e 2030-ës si të barabartë mes të barabartësh jo vetëm në marrëdhënie, se këtë e kemi arritur, por edhe në tryezën e familjes së bashkuar evropiane. Kështu që thotë një fjalë e urtë, mos i qaj hallin kalorësit se i varen këmbët, emigrantët e dinë mirë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe do ta shikosh se do ta bëjnë.”, u shpreh Rama.