Ndërsa ka humbur gjyqin e arbitrazhit me Beketin, Edi Rama i jep 150 mijë euro Sheri Bler. Më 7 prill, Thesari i Shtetit i ka kaluar pagesën e radhës studios së avokatisë ‘Omnia Strategy’. Deri më tani, zyra e Sheri Blerit, e cila ishte një prej studiove ligjore që asistoi qeverinë e Ramës për çështjen Beketi kundër Shqipërisë, është paguar në mbi 1 milion euro.
Kryeministri Edi Rama përbetohet se nuk do të paguajë asnjë lek për Francesko Beketin, madje edhe me koston e pallogaritshme për daljen nga juridiksioni i Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Por ai është shumë korrekt me pagesat për Sheri Bler, bashkëshorten e mikut të tij, Toni Bler, ish-kryeministri britanik i shndërruar në lobist i vendeve të treta.
Në 7 prill 2023, vetëm një javë pasi Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar i Bankës Botërore vulosi përfundimisht dënimin e qeverisë shqiptare me 110 milionë euro, Rama i paguan këstin e radhës zyrës ligjore “Omnia Strategy” të Sheri Blerit, për avokatinë në çështjen e dështuar kundër Beketit. Në fundjavën e kaluar, Ministria e Financave ka transferuar 150 mijë euro në llogarinë e studios ligjore të Sheri Bler. Kjo është pagesa e radhës për ‘Omnia Strategy’.
Deri më tani, zyra Sheri Blerit, e cila ishte një prej studiove ligjore që asistoi qeverinë e Ramës për çështjen Beketi kundër Shqipërisë, është paguar mbi 1 milion euro.
Ndërkohë fatura e shërbimeve avokatore për konfliktin personal të Edi Ramës me sipërmarrësin italian Françesko Beketi përllogaritet në mbi 3 milionë euro.
Beteja e kryeministrit shqiptar me biznesmenin Beketi nisi menjëherë sapo Rama mori pushtetin në vitin 2013.
Dy vjet më pas, në 2015, Rama përdori të gjithë administratën shtetërore dhe drejtësinë, të cilët mbyllën televizionin ‘Agon Channel’ në pronësi të sipërmarrësit italian.
Në prill të vitit 2019, Arbitrazhi i Bankës Botërore, ICSID, vendosi që shteti shqiptar duhet të paguajë 110 milionë euro në favor të Beketit.
Qeveria e Edi Ramës kërkoi anulimin e vendimit dhe më tej rishikimin e tij. Të dyja këto kërkesa u rrëzuan përfundimisht më 29 mars 2023 nga Gjykata e Arbitrazhit Rishikues, e cila la në fuqi gjobën që trondit jo pak financat e dobëta të shtetit shqiptar.
Kryeministri Rama deklaroi javën e kaluar se vendimi ishte skandaloz dhe po mendon që të dalë nga juridiksioni i Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Kjo lëvizje duket më shumë populiste se sa realiste. Nëse Rama do të vijojë idenë e tij, atëherë Shqipëria rrezikon seriozisht afrimin e investitorëve të huaj. /syritv