Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “nuk jam këtu për të zëvendësuar opozitën”, por theksoi ai “ka kohë që ky vend nuk ka opozitë”.
Në një bashkëbisedim live me demokratët, Rama iu përgjigj atyre që pretendojnë se Lulzim Basha nuk e ka bërë këtë punë vetëm.
“Në fakt jo, këto gjëra nuk bëhen vetëm. Bëhen bashkë dhe bashkë i kanë bërë të dy këta (Berisha-Basha) në gjithë këto vite. Mos kini asnjë lloj iluzioni. Kjo është historia e një mbetje politike e ndarë përgjysmë, një kufomë politike në selinë e SHQUP-it dhe një kufomë politike pa seli. Një kufomë politike që ka selinë blu dhe një kufomë politike që është në listën e zezë, por që deri para pak muajsh ishin e njëjta gjë. Nuk iu imponua gjatë gjithë këtyre viteve Lulzim Basha demokratëve nga Sali Berisha, por u imponua nga unë!? U imponua nga Amerika!? Jo, u imponua nga Sali Berisha dhe të dalësh të thuash unë nuk e kam njohur, ju kërkoj ndjesë, është të tallesh me të gjithë ata që janë mbledhur aty”, tha Rama.
Rama tha se “ne duam të ndihmojmë paqen”. “Unë s’jam këtu për të kërkuar sot nga demokratët që të bëhen votues të Partisë Socialiste e as për të thënë ‘sa mirë që u shkatërrua opozita’. Absolutisht jo. Unë jam këtu për të komunikuar me demokratët dhe për të bërë çmos të gjithë së bashku që ta çlirojmë politikën e këtij vendi nga kjo urrejtje e brendshme dhe nga ky mentalitet, kjo ndasi dhe urrejtje e çmendur mes dyja kampeve. Të gjejmë rrugë që kjo kacafytje të mbarojë”, tha Rama.
Sipas tij, “demokratët duhet ta gjejnë vetë atë që duhet për t’i udhëhequr”.
“Në kushtet ku jemi, kjo do të kërkojë kohën e vet, por ama është shumë e rëndësishme se nuk bëhet fjalë këtu për të fërkuar duart dhe për t’u ndjerë mirë se u shkallmua nga themeli një forcë politike, që sigurisht është forca kundërshtare, por në fund të fundit ka mbajtur në ekuilibër gjithë sistemin demokratik”, tha Rama.
Ai theksoi se “ky vend ka nevojë për opozitë dhe sigurisht që ky vend nuk ka opozitë sot”.
“Por nuk ka opozitë sot, jo sepse ndodhi ajo dje, por ka kohë ky vend që nuk ka opozitë. Sepse nuk është opozitë ajo e cila është shfaqur para nesh në gjithë këto vite. Këtë unë e kam thënë me kohë e vakt. Një opozitë që të sfidon fizikisht nuk është opozitë dhe është e destinuar të humbasë në vijimësi. Një opozitë që nuk të sfidon mendërisht me kurajon për të parë të ardhmen në një mënyrë më të avancuar, që nuk sfidon me guximin për ta projektuar të ardhmen me reforma shumë më të avancuara, por të sfidon me molotovë nuk është opozitë. Ata që dje ishin të ndarë, për shumë vite kanë qenë bashkë kur kanë ardhur këtu poshtë dhe kanë përdorur të njëjtat mjete si dje”, tha Rama.