“Duhet të jemi shumë të qartë, nuk merret një mandat i tretë si inerci e dy të parëve, nuk na duhet një fitore e mandatit të 3 nëse nuk jemi në gjendje të bëhemi 3 herë më energjik, më të fortë, më të vetëdijshëm dhe rigoroz me vetveten”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Kongresit të Partisë Socialiste.
“Mandatin e 3 për t’u bërë shëmbëlltyra e konsumit dhe rraskapitjes shkoni kërkojeni pa mua. Dhe mund ta merrni, por do të dilni nga zyrat e shtetit si të mallkuar siç kanë bërë të tjerët më parë. Ndërsa mandat të 3 për të bërë 3-fishin e të gjitha gjërave që kemi bërë deri më sot po”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “njerëzit shohin nga ne dhe ne nuk duhet të merremi fare me katandisjen e konkurrentëve tanë, që janë katandisur si karikatura të vetes së tyre”.
“Ne duhet t’i kuptojmë sot, pa na ndodhur, se çfarë pasojash të rënda do të ketë nëse nuk kuptojmë se ky ‘bosh’ është armik i rëndësishëm dhe ne mund të krijojmë pasoja si kundërshtari më i rrezikshëm i PS-së. Kjo ndodh çdo ditë, ne prodhojmë kundërshti me PS-në, me qeverinë e PS-së, me programin e PS-së, prodhojmë kundërshti me ata që janë arsyeja pse ne jemi këtu sot. Janë ata të tjerët që na votojnë, që nuk janë vetëm anëtarë partie, pasi anëtarë kemi 112 mijë, ndërsa votues kemi mbi 700 mijë”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “kundërshtitë me ata ne i prodhojmë në jetën e tyre të përditshme, kur ne krijojmë mure, gardhe, pengesa për ta dhe për të mos thënë kur shohin se si ne nuk e përdorim çdo ditë dhe në çdo rast pushtetin në të gjithë territorin në shërbim të tyre, por për të bërë të kundërtën”.
“Nuk kam asnjë problem që shumëkush për shkak të kontributeve në PS është sot në punë, por problemi ynë i madh është me cilindo ndër ta që harron se në atë punë është për të mbrojtur nderin e PS-së si alternativë qeverisëse, duke u shërbyer njerëzve. Kush paguan për ato zyra që nuk hapen në orën 8:00 të mëngjesit, ata shefa që mbyllin derën dhe vijnë në orën 10:00 duke dredhur zinxhirët. Paguan pikërisht PS me besueshmërinë e saj, me imazhin e saj”, tha Rama.
Rama bëri një paralelizëm me sportin ku ndodh shpesh që cilësia e skuadrës së madhe bie kur luan me një skuadër të vogël. “Ne jemi skuadër shumë e madhe dhe skuadra më e fortë me diferencë. Ne jemi Premier Liga, ata janë në kategori tjetër, ne jemi Champions Liga, ata janë Besëlidhja e Dytë”, tha Rama.
Po ashtu, ai u ndal edhe te bashkëkryesimi i organizatave socialiste. “Organizata Socialiste nuk është aty për tu mbledhur kur duhet t’i hidhet në fyt deputetit për të kërkuar punë, por për t’u kthyer në një qendër graviteti politik, gjë që nuk e kemi sot. Rritja e fuqisë së gravitetit politik të OS është ajo që duhet të bëjmë nga sot deri në zgjedhjet e ardhshme duke mos toleruar më kryetarë organizatash që duan punë për djalin apo vajzën, duke mos toleruar më dyert e mbyllura dhe mosplotësimin e numrit të detyrueshëm të grave në organizatë”, tha Rama.
“Nuk pranoj që të vijnë deputetë, kryetarët e partisë në rrethe dhe në qarkun e tyre nuk kanë arritur akoma të kenë bashkëkryetare grua. Është turp dhe tallje dhe nuk mundet dot të marrim 800 mijë vota nëse nuk bëjmë ndryshe disa gjëra që kemi refuzuar të bëjmë”, shtoi Rama.
Ai tërhoqi vëmendjen edhe për shkallën e ulët të komunikimit të deputetit me komunitetin. “Në kohën e teknologjisë është e pafalshme dhe e pajustifikueshme, është pjesë e armiqësisë që ne akumulojmë ndaj PS-së si alternativë qeverisëse, që ato mbrokullat (celularët) të përdoren për gjithçka përveç se për këtë punë. Ne jemi media më e madhe në Shqipëri, ne kemi në terren 100 mijë vetë plus mbrokullat në xhep që të bashkohen të gjitha bashkë mediet nuk na mundin dot në përpjekjet për të dhënë informacion për punët që ne bëjmë, por nëse ne nuk e bëjmë ‘boshi’ zë gjithnjë e më shumë vend duke krijuar boshllëk brenda njerëzve”, tha Rama./ATSH/




