Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar për rikthimin e mundshëm të masave shtrënguese, në kushtet ku prej dy ditësh, numri i të infektuarve me koronavirus ka qenë në numra dyshifrorë (dy ditët e fundit janë konfirmuar 36 vetë).
“Po hapemi dhe po i ekspozohemi natyrshëm rrezikut të infektimit. Siç e keni parë nga informacionet e Ministrisë së Shëndetësisë… numrat po lëvizin. Jemi të vetëdijshëm që numrat lëvizin sepse rritet ekspozimi, por nëse lëvizja e numrave nëse do të vazhdojë të jetë kështu, atëherë do të jetë një problem.
Në këtë fazë, secili prej nesh e secili prej jush, sjella do të jetë vendimtare. Kjo nuk është më një çështje e task forcave, e policisë, e kontrolleve apo e kornizës ligjore, por më së shumti çështje e vetëdijes dhe kontributit qytetar. Është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd dhe të të tjerëve, sepse nëse ti infektohesh, jo vetëm dëmton veten por edhe të tjerët”, pohoi kryeministri..
Rama theksoi se nga e hëna e ardhshme, ekspozimi ndaj Covid-19 do të jetë shumë i madh.
“Nuk e hapim dot transportin publik. Hiq baret e restorantet në mjedise të mbyllura, palestrat, teatrot, e të tilla ambiente të mbyllura, të gjitha të tjerat janë do të jenë të hapura të hënën. Çka do të thotë se ekspozimi do të jetë shumë i madh”, tha Rama.