Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “Il Fatto Quotidiano”, ku në qendër të vëmendjes është situata aktuale politike në vend.
Ai ka theksuar se në Shqipëri nuk ka aspak kaos dhe revoltë popullore, por thjesht një protestë të opozitës, e njëjta që populli e largoi me votë disa vite më parë.
“Nuk ka asnjë kaos dhe nuk ka asnjë revoltë popullore. Nuk kanë dalë në shesh as jelek-verdhët, as sindikatat, as studentët dhe as anarkistët, por opozita parlamentare, që disa vite më parë u dërgua në shtëpi nga populli, pasi shkatërroi ekonominë dhe mbyti vendin në kënetën e korrupsionit dhe të pa ndëshkueshmërisë. Jo vetëm që e largoi, por pas katër vitesh i dha një humbje elektorale edhe më të rëndë. Dhe tani ja ku jemi, nuk duan që të përballen në zgjedhjet lokale të qershorit, sepse i pret një tjetër humbje e qartë”, u shpreh Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka folur edhe për çështjen e emigrimit të shumë shqiptarëve në vendet e Bashkimit Evropian.
“Kanë bërë gjithçka për të bllokuar reformën që kemi ndërmarrë bashkë me Komisionin Evropian dhe Misionin Amerikan në Drejtësi, por nuk kanë mundur të na ndalojnë. Tani është duke ndodhur një revolucion i vërtetë në sistemin e vjetër dhe të korruptuar të drejtësisë, nën monitorimin e miqve evropianë dhe amerikanë. Një prokurori speciale kundër korrupsionit për funksionarët e lartë është gati të nisë punën, sipas marrëveshjes së re Kushtetuese në drejtësi që kemi miratuar. Më shumë se 50 magjistratë dhe gjyqtarë të korruptuar, të lidhur me keqbërjen e atij pallati për vite, janë nxjerrë jashtë falë procesit të Vettingut. Qindra të tjerë janë në radhë për t’u hetuar. E gjithë kjo bëhet nën vëzhgimin e një skuadre të paanshme ekspertësh ndërkombëtare. Sigurisht që kanë motive të forta nga disa të pushtetit të vjetër për t’u rebeluar ndaj kësaj qeverie”, tha Rama.