Partia Socialiste do të jetë në pushtet të paktën deri sa Shqipëria të futet në Bashkimin Europian. Deklarata vjen nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste, sipas të cilit të gjithë ata që mendojnë se duke penguar negociatat do të marrin pushtetin, do të zhgënjehen.
“Kam bindjen se ata të cilët nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke penguar negociatat do marrin pushtetin në Shqipëri do të zhgënjehen thellë, siç janë zhgënjyer edhe në të shkuarën, sepse jemi ne që do t’i hapim negociatat, jemi ne që do t’i fitojmë zgjedhjet dhe jemi ne që do ta fusim Shqipërinë në BE. Mbajeni mend këtë që po ju them sot. Nuk e di unë kur do të futet Shqipëria në BE, sepse kjo nuk varet vetëm nga ne, ju e shikoni vetë se çfarë debatesh bëhen tani për fushatën evropiane dhe bëjnë debat a futet a nuk futet njëri shtet apo tjetri në BE deri në vitin 2025. Unë nuk e di kur do të ndodhë, por di që deri kur të ndodhë, PS do jetë këtu dhe do të jetë shumicë”, tha Rama gjatë një fjalimit të tij në Kuvend.
“Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat për të çelur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian. Progres raporti në fund të majit do të rekomandojë hapjen e negociatave pa kushte. Reforma në Drejtësi është pa kthim”, tha ai, duke shtuar se asnjë vend tjetër nuk ka bërë sa vendi ynë para hapjes së negociatave.
Vendimi për hapjen apo jo të negociatave, tha ai, i takon Këshillit të Europës.
“Hapen apo nuk hapen, tha Rama, nuk lidhet me sa kemi bërë ne, por me sa janë gati të tjerët të përballojnë betejën e tyre të brendshme kundër zgjerimit”.
Në lidhje me mungesën e mundshme të opozitës në zgjedhjet e ardhshme, Rama tha se detyra e mazhorancës është të krijojë kushtet që të gjithë të marrin pjesë, e jo ta bindë opozitën të futet në zgjedhje.
“Futet apo nuk futet opozita në zgjedhje, detyra jonë është t’i fitojmë ato”, tha Rama.