Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Berat në një takim me strukturat e partisë dhe banorët e këtij qarku.
Rama ka dhënë një mesazh të qartë nga ana e mazhorancës, kur tha se nga protesta apo metodat e tjera politike të opozitës, është e sigurt se qeveria nuk preket.
“Janë gjëra që Shqipëria i ka parë, i ka jetuar vite e vite më parë, dukej sikur nuk do të ktheheshin më kurrë, dukej sikur ishte rikthyer maturia, por ja për fat të keq ata të cilët përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe ajo partia tjetër që është simotra e njërës dhe tjetrës sipas radhës, shfaqen me nonsens logjik. E sigurt është se me metoda të tilla, e vetmja gjë që nuk preket është qeveria. Përkundrazi, po të ishte për qeverinë dhe shumicën në Parlament, as do t’i hynim këtij diskutimi, por ka gjëra të tjera që preken. Preket Shqipëria, sepse shfaqet në sytë e botës si një vend ku nuk duhet shkuar për të investuar, as për të vizituar. Nuk preket asnjë fije floku e shumicës qeverisëse, por gjatë kësaj pune, preket shumë më tepër ekonomia e secilit”, është shprehur kryeministri Rama.