Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit tha se opozita pasi doli nga parlamenti, vendosi të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve. Rama tha se i kupton ata që mendojnë se zgjedhjet pa opozitën nuk janë normale, por kjo nuk është zgjedhje e tyre dhe as faji i tyre.
Rama: Me përfundimin e afatit të regjistrimit të partive politike në zgjedhjet e 30 qershorit, opozita e rrugës ka vendosur të dalë edhe nga rruga e zgjedhjeve, pasi doli nga rruga e jetës parlamentare duke zgjedhur dy forma ekstreme në kundërshtim të plotë me vijën e logjikës demokratike,. E para e panjohur dhe e padëgjuar, e dyta jo e panjohur, por e provuar si një rrugë e vetëshkatërrimit. Aty ku opozitat kanë zgjedhur të braktisin zgjedhjet, praktikisht kanë marrë prapësht një periudhë të gjatë rrënimi dhe vështirësish për rindërtim.
Në vend që të luftojnë me program dhe ide ka zgjedhur të luftojë me kërcënime dhe kapsolla. Në vende ti përfaqësojë zgjedhësit e vetë në këtë sallë dhe në zgjedhje ka vendosur ti nxjerrë edhe ata nga rruga e betejës demokratike. Në vend ti udhëheqë në rrugën e betejës demokratike ka vendosur ti përdorë si mish për top duke i përdorur. Kjo është e papranueshme nga askush.
Edhe ne nuk kemi ndonjë zgjedhje tjetër përveç të vijojmë rrugën tonë pa u ndaluar të merremi me ata. Dmth pa u devijuar nga rruga e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht kërcënimit apo shantazheve se do të dhunojnë të drejtën e popullit për të zgjedhur kryetarët e bashkive.
Unë i mirëkuptoj ata që ndryshe nga unë mendojnë se zgjedhjet pa këto parti janë anormale, por dua tu them se kjo nuk është as zgjedhja jona, as faji ynë.
Ne kemi bërë gjithçka që kjo mos ndodhë. Mund të bënim më shumë? Mbase, por nuk e di çfarë mund të bënim më shumë.
Të gjithë ta kujtojnë në çdo ditë në këtë periudhë se ne çfarë kemi bërë dhe askush mos harrojë që jemi ne që e kemi dhënë provën se mes një palë zgjedhjesh pa opozitën dhe zgjedhje me opozitën kemi parapëlqyer të dytën dhe kemi sakrifikuar politikisht për ta bërë të mundur të dytën.
Këtu e dy vite më parë ishim në të njëjtën situatë, ku Basha dhe partia e tij ishin futur në çadër, ndërsa aleatët tanë rrinin mes çadrës dhe qeveris në pritje të binte qeveria.
Në 2017 kaluam ylberin në raport me traditën në Shqipëri por edhe në raport me mandatin tonë, duke ndarë të gjitha përgjegjësitë e qeverisjes me ta dhe duke u besuar atyre ministrinë e Punëve të Brendshme, plus ministritë e tjera.
Pse? Sepse edhe në kushtet kur BE dhe SHBA e mbyllën gjithë kapitullin e përpjekjeve për të arritur një kompromis dhe deklaruan me keqardhje për opozitën dhe duke e fajësuar opozitën se zgjedhjet duhet të mbaheshin dhe se zgjedhjet ishin legjitime dhe se parlamenti kishte legjitimitet të plotë.
Përtej të gjithë të metave dhe gabimeve tona, ne mund të ballafaqohemi me këdo, për të provuar se nëse ka një garë se cila forcë politike dhe cila qeveri i ka dëgjuar më shumë të tjerët, i ka dëgjuar kritikat, ne këtë garë e fitojmë me diferencë të madhe.
Na akuzojnë për arrogancë, por kam frikë se përtej dukjeve dhe interpretimeve të mundshme komunikimi ngatërrojnë vendosmërinë e reformave që kemi marrë përpara me arrogancën. Nuk është arrogancë, është vendosmëri.