Megjithëse kishte njoftuar për një takim në orën 11.30 me drejtuesit e lartë të policisë, kryeministri Edi Rama mbërriti në godinën e Ministrisë së Brendshme rreh 40 minuta me vonese, vetëm pasi Presidenti Ilir Meta mbylli konferencën për mediat.
Ndonëse nuk iu përgjigj deklaratave të Presidentit, kreu i qeverisë pati një paralajmërim për opozitën, teksa tha se në ndryshimet e kodit penal, sulmi ndaj policit do të ndëshkohet me burg dhe jo vetëm me gjobë siç është aktualisht. Rama tha se e njëjta forcë e ligjit do të veprojë edhe për ata që bllokojnë rrugët me protesta.
Edi Rama: Është momenti i finalizimit të procesit të ligjvënies për rritjen e paprekshmërisë së uniformës blu në krye të detyrës. Me ndryshimet që do i bëjmë kodit penal sulmi ndaj policit, goditja e policit, prekja me dorë e policit do të konsiderohen vepra penale me burg dhe jo gjobë. Të tilla do të jenë edhe bllokimet e rrugëve dhe pengimet e punëve publike. Mjaft më e shfaqje të “tokës së xanun” me trupa njerëzor në rrugët dhe në hapësirat publike. Asnjë kundërshti sado legjitime e një grupi njerëzish nuk mund të tolerohet më si arsye për të penguar qarkullimin e njerëzve në rrugët e vendit apo në investimet publike.
Rama kërkoi nga policia e shtetit që të identifikojnë, ndalojnë dhe penalizojnë subjektet apo individët që kapen në paligjshmëri ndërtimore.
Edi Rama: Ju kërkoj sot hedhjen në veprim për të identifikuar, ndaluar dhe penalizuar çdo subjekt apo individ që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm. Jo për muret dhe tjegullat e shtëpive në fshat, por kudo në hapësira urbane ku cënohet prona publike, prona e tjetrit apo çdo zonë strategjike zhvillime duke filluar nga vija bregdetare.
Rama falënderoi efektivët gjatë mbarëvajtjes së protestave që prej muajit shkurt. Ai tha se 60 efektivë policie mbetën të plagosur ndërsa i vlerësoi ata për vendosmërinë e tyre dhe vetëpërmbajtjen shembullore siç ai e quajti. Rama veçoi rastin e Ina Nukut, efektives së “Shqiponjave” që u plagos me kapsollë, të cilës i akordoi yllin e mirënjohjes publike të kryeministrit.
Kryeministri I kërkoi drejtorit të përgjithshëm Ardi Veliu që të aplikohen edhe pensionet e parakohshme për efektivat e policisë që pësojnë dëmtime në detyrë./Ora News/