Kryeministri Edi Rama pritet të propozojë së shpejti emrin që do të mbajë postin e zv/kryeministrit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Balluku.
Në korridoret e politikës po qarkullon si emër i mundshëm ai i Delina Ibrahimaj, aktualisht Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit. Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka një vendim apo njoftim zyrtar për zëvendësimin e numrit dy të qeverisë.
Paralelisht, në diskutimet informale është përmendur edhe emri i Ervin Demo si kandidat potencial për postin e zv/kryeministrit, çka shton spekulimet për një riformatim të ekzekutivit në këtë fazë të ndjeshme politike.
Në fund të nëntorit, SPAK njoftoi akuzën ndaj Ballukut në lidhje me hetimin për tunelin e Llogarasë, ndërsa GJKKO vendosi pezullimin e saj nga detyra. Qeveria e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar si ndërhyrje në balancën e pushteteve.
Më pas, SPAK kërkoi në Kuvend heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrest. Gjykata Kushtetuese, me votim 4 me 4, la në fuqi pezullimin, duke e detyruar kryeministrin të lëvizë për emërimin e një zëvendësi të ri.
Delina Ibrahimaj, e lindur më 23 dhjetor 1983 në Tiranë, ka mbajtur disa poste kyçe në qeveri, përfshirë Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtore e INSTAT. Ajo mban titullin PhD në Bankë dhe Financë nga Universiteti Tor Vergata në Romë dhe Master nga “Luigi Bocconi” në Milano.
Ndërkohë, emri i Ervin Demos shihet nga disa burime si një alternativë tjetër për të balancuar politikisht dhe teknikisht strukturën e qeverisë.
Vendimi përfundimtar pritet në ditët në vijim./ Publik Media

