Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, u ka bërë thirrje shqiptarëve të bashkohen në protestën e sotme, të thirrur nga opozita në orën 17:30.
Ajo shprehet se sot çdo shqiptar ka 1 mijë e një arsye për të demonstruar kundër atij që e quajnë regjim të Edi Ramës.
Caka shprehet ndër të tjera se, regjimi i Edi Ramës ka thyer çdo premtim që ka bërë përpara se të vinte në pushtet.
Deklarata e plotë:
Regjimi i Edi Ramës ka thyer çdo premtim që ka bërë përpara se të vinte në pushtet:
Premtoi qeverisje me duar të pastra, por jemi të parët në Europë për korrupsion dhe të dytët në botë për rryshfet;Premtoi 300 mijë vende pune, por dëboi nga vendi 740 mijë shqiptarë;
Premtoi çmime të ulta, por paguajmë për ushqime më shtrenjtë se në Itali;
Premtoi pensione të larta, por sot Qeveria i ka borxh secilit pensionist në qytet 7,489 lekë çdo muaj dhe në fshat 3,238 lekë çdo muaj për shkak të mosindeksimit mbi bazën e rritjes së çmimeve;
Premtoi shëndetësinë falas, por sot shqiptarët paguajnë 60% më shumë nga xhepi për shëndetësinë se në të gjithë Europën;
Premtoi zhvillim të bujqësisë, por favorizoi importin dhe falimentoi fermerin;
Premtoi zhvillim të blegtorisë, por shfarosi rreth 300 mijë krerë lopë e dele;
Premtoi mbështetjen e prodhimeve bio “Made in Albania”, por vaji i palmës dhe qumështi pluhur “përmbyti” vendin;
Premtoi rend dhe siguri, por krimi i organizuar shqiptar ka marrë status “baroni” në Shqipëri, duke i shtrirë tentakulat deri në Ekuador dhe Dubai;
Premtoi arsim cilësor, por jemi të parët në rajon për rritjen e analfabetizmit;
Premtoi ujë të pijshëm 24 orë, por Tirana “thahet” në të katër stinët;
Premtoi ulje të çmimit të karburanteve, por edhe pse jemi vend prodhues nafte e paguajmë më shtrenjtë në rajon;
Premtoi mbrojtjen dhe zhvillim të pronës private, por u shembi shtëpitë dhe rrëmbeu pronat e ligjshme të qytetarëve për t’ja u dhënë oligarkëve për kulla e resorte;
Premtoi legalizim falas, por pleqtë dhe të pambrojturit përfunduan në burgje për një kotec pulash, ndërsa oligarkët mes Tiranës që ndërtuan pa leje, u shpërblyen me tendera;
Premtoi politika për të rinjtë, por sot një çifti të ri i duhet mbi 70 vjet kursime për të blerë një apartament;
Premtoi mbështetje për shtresat në nevojë, por jetimëve u vodhi edhe bukën, ndërsa invalidëve u hoqi ndihmën ekonomike;
Premtoi rrugë të lira dhe me standarde, por 1 km asfalt shkon sot 20 milionë euro dhe prapë rrugë nuk ka se përfundon në humnerë si rruga “Korçë-Ersekë”;
Sot çdo shqiptar ka 1 mijë e një arsye për të protestuar kundër këtij regjimi që e ktheu Shqipërinë në narkoshtet që dhunon liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor.
Kur vendin e drejton një qeveri kriminale dhe autokrate, padrejtësia më e vogël kthehet shumë shpejt në standard. Prandaj nëse ke qoftë edhe një arsye, sado e vogël dhe e parëndësishme mund të të duket, DIL E PROTESTO!
Dil sot e protesto, eja, sepse shumë shpejt ajo arsye e vogël do kthehet në një problem shumë të madh e të pazgjidhshëm.
Kur padrejtësinë e shkakton vetë pushteti, me dashje, mos ki shpresë se ata do reflektojnë e do t’a rivendosin të drejtën tënde.
Bëhu ti ai që zgjidh dhe zgjedh! Ju ftojmë të gjithëve sot, në orën 17:30, përpara Kryeministrisë, të protestojmë kundër regjimit!