Data 11 shtator pritet të jetë dita kur do të mbahet Asambleja e Partisë Socialiste, në të cilën do të shpallet kabineti i ri qeveritar.
Megjithatë, kjo datë ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, pasi anëtarët e Asamblesë nuk kanë nxjerrë ende një njoftim për mbledhjen.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi paraditen e së enjtes një takim me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu, që zgjati 30 minuta, ndërsa sjellim ndërmend se paraditen e së martës pati takime me disa ministra të tjerë. Takime këto që vijnë në prag të ndryshimeve qeveritare.
Një detaj interesant nga takimet e së martës së 26 gushtit, është se në Kryeministri ka qenë i pranishëm edhe biznesmeni i njohur kosovar, Behgjet Pacolli. Ai është parë duke dalë nga godina e qeverisë pas përfundimit të takimit, duke shtuar interes për atë që po diskutohej atë ditë në mjediset e larta të politikës shqiptare. Megjithatë nuk dihet nëse vizita e Pacollit kishte lidhje me takimin me ministrat.
Në Asamblenë e 11 shtatorit, do të bëhen publikë emrat e qeverisë së re, ndërsa pritet me shumë interes se çfarë ndryshimesh të tjera do të bëjë kryeministri Edi Rama.