Edi Rama ka reguar me tone të ashpra ndaj protestës së djeshme të opozitës, gjatë së cilës pati tensione dhe u plagosën disa punonjës policie.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thotë se opozita po e ushtron dhunën si pjesë të pandarë të aktivitetit të saj politik, duke e cilësuar atë si një fenomen të rrezikshëm dhe të papranueshëm.
Ai e krahason protestën me veprime anarkiste dhe paramilitare, duke pretenduar se pjesëmarrësit ishin të maskuar, të rekrutuar me pagesë dhe të përfshirë në shkatërrim prone e sulme ndaj institucioneve.
Sipas kryeministrit, këto protesta përfaqësojnë një “degjenerim të pandalshëm” dhe një akt dëshpërimi politik.
“Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!”, shkruan ai.

