Një ditë pas shembjes së dy godinave të kompleksit të Teatri Kombëtar, kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjete sociale projekt-idenë e Teatrit të Ri Kombëtar, konceptuar nga arkitekti i famshëm danez Bjarke Ingels.
Ndërsa ju uron një javë të mbarë, Rama gjithashtu siguron se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje…
“Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltuara e masakruara pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetra e dhjetra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt”, tha Rama.
Shembja e dy godinave të teatrit u bë në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe u shoqërua me episode dhune mes policisë dhe protestuesve që kundërshtonin aksionin.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe opozita kanë lajmëruar sot mbajtjen e një tjetër proteste në orën 16:30.