Kryeministri Edi Rama ftoi sot naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit të ndërpresin grevën, ndërsa shprehu gatishmërinë të ulet e të bisedojë me ta për këtë hall të përbashkët.
“U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja”, tha Rama.
Kryeministri garantoi se “ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t’ua qajnë ata që ua shkaktuan”.
“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu! Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm”, tha Rama.Edhe më herët, Kryeministri Rama u ka bërë thirrje naftëtarëve të Rafinerisë së Ballshit të ndërpresin grevën e urisë, pasi siç u shpreh ai “jemi duke u përpjekur që ta zgjidhim atë punë”.“Unë e di se sa takime dhe lutje kam bërë për të sjellë investitorë, sepse nuk është pronë e shtetit. Është një rafineri e degraduar, shumë e vjetër që do një investim shumë të madh dhe këtë investim duhet ta bëjë privati”, – tha Rama, pak ditë më parë, ndërsa shtoi se ka takuar edhe Presidentin e Azerbajxhanit enkas, meqë në një garë që u bë kishte kompani azere.Ndërkohë, naftëtarët kanë përfituar pagat e luftës gjatë periudhës së karantinës.