Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se sa herë që ai ka mesazhe për kryebashkiakun Erion Veliaj, i ka të thjeshta dhe personale. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rama tha pas daljes nga SPAK i ka thënë Veliajt se ka bërë shumë gabim që ka sulmuar analistët dhe gazetarët. Sipas Ramës, sulmet e tyre nuk janë të denja për një person që ka poste të larta si Veliaj.
Pjesë nga intervista:
Fevziu: A ishte fjalimi juaj dhe adresimi juaj një mesazh për Erion Veliajn?
Rama: Mesazhet për Veliajn i kam të thjeshta fare, një tekst, telefonat një mesazh, një takim. Që unë nuk mbroj..
Fevziu: Ju thatë që mbroni vetëm Zaon se të tjerët asnjë.
Rama: O zotëri unë këtë e kam thënë 1 mijë herë, jo po prapë se shiko. Unë jam ndryshe Fezo. Ky është thelbi dhe ju nuk doni ta pranoni, ok mos e pranoni. Jam ndryshe mor shok, jam ndryshe. Unë ato gjëra që them i mendoj.
Fevziu: Meqë kishe vetëm një mesazh të shkurtër, një tekst apo një telefonat me Veliajn, a i the gjë për qëndrimin që ai mbajti duke akuzuar një sërë gazetarësh pasi doli nga SPAK?
Rama: Po, i thash. Gabim shumë i madh.
Fevziu: Pse?
Rama: Sepse unë personalisht kam patur shumë herë reagime ndaj medias. Por, nuk kam sulmuar kurrë një me emër, një person, sepse këto sulme nuk janë sulme të denja për kë do qoftë që ka një funksion të lartë dhe që ka një raport që lidhet me rolin e tij institucional.