Rama-Zaev-Vuçiç bëhen bashkë, Kosova nuk pranon t’u bashkohet

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 qershor do të zhvillojnë një video-konferencë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kjo do të vijë në kuadër të konceptit të “Schengen-it rajonal”. Ndërsa Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë me ftesë të Vuçiç-it.

Ndërkohë Kosova ka qenë ndër të vetmet nga vendet e Ballkanit Perëndimor që ka refuzuar çdo takim që bëhet në kuadër të “Schengen-it rajonal”.

Më 10 qershor, në Tiranë u zhvillua Samiti i Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë kryeministrat e gjashtë vendeve ballkanike, si edhe Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë pranë Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

“Mini-Schengen” ishte një ndër pikat e agjendës që do të diskutohej. Gjatë atij takimi, Rama bëri me dije se pikat kulmore kanë qenë dy: liri ekonomike nëpërmjet Schengen-it ballkanik dhe liri lëvizjeje falë pasaportës së gjelbër të vaksinimit.

Mini-Schengen
“Nuk duhet të ketë zona kufizimesh në rajon”, kjo ka qenë deklarata që Rama dha një ditë më parë, për shtyrjen e hapjes së negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për shkak të vetos që ka vendosur Bullgaria mbi Maqedoninë e Veriut.

Rama vijon kështu me thirrjen e tij për atë që njihet gjerësisht si koncepti i “Schengen-t rajonal”.

“Jemi shumë të vegjël për të qenë të izoluar nga njëri-tjetri. Jemi të vegjël për të mbartur urrejtje”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Më tej, ai shtoi se “hapësirat e limituara nga kufijtë, nuk janë mjaftueshëm tërheqëse për të parë transformime të mëdha ekonomike, por hapësira e përbashkët është shumë tërheqëse”.

Investimet ekonomike të BE-së në rajon janë ato që do të bëjnë të mundur lehtësimin e situatës post-Covid. Por, këto investime, janë të strategjizuara në aspektin e ndërlidhjes automobilistike, hekurudhore apo çdo lloji tjetër transporti në Ballkan.

Ky lehtësim duhet doemos të mbështetet nga heqja e kufijve ekonomikë në Ballkan, në atë që quhet Mini-Schengen Ballkanik.

Këtu, sipas kryeministrit, përfshihen edhe aspektet e energjisë, digjitalizimit dhe interkonektivitetit. Pra, një strukturë e vërtetë komunikimi midis vendeve të Ballkanit.

Ndërsa mesazhi i Vuçiç-it ka qenë se “ka një rëndësi të madhe për ne sistemi i lejeve të punës”.

Kuptimi i “Schengen-it rajonal” ka të bëjë dhe me njohjen reciproke të lejeve të punës në territoret e tre vendeve, Shqipëri-Maqedoni e Veriut-Serbi.

“Me këtë do të sigurojmë më shumë fuqi punëtore, që mungon në Serbi”, është shprehur Presidenti serb.

Share This Article