Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nuk do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, bëjnë me dije burimet.
Nuk dihet arsyeja kryesore se pse Margariti nuk do të kandidojë në 25 prill, por kujtojmë që ajo humbi bashkëshortin më 30 janar të këtij viti, ngjarje kjo e cila mund të ketë ndikuar në vendimin e ministres.
Sot ministrja zhvilloi një interpelancë me deputetin Artur Roshi në Kuvend, interpelancë e kërkuar nga ky i fundit.
Kjo nuk është “firo” e vetme që vjen nga PS, pasi më herët ishte nënkryetarja e Parlamentit, Vasilika Hysi që dha lajmin e largimit nga partia. Edhe Sadri Abazi nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit, pasi Rama e la jashtë listave.
Mbledhja e PS për shpalljen e listave të kandidatëve për deputetë ishte parashikuar në orën 18:00, por u shty, e mesa duket për shkak të këtyre “avarive”. Sot Rama gjithashtu njoftoi largimin e Eglantina Gjermenit nga PS, ndërkohë Musa Ulqini, deputeti i Elbasanit refuzoi kandidimin pasi nuk i pëlqeu vendi që i premtoi Rama në listë.
Edhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli refuzoi të japë dorëheqjen nga posti aktual për të kandiduar si deputet.