Raporti i OKB-së nxjerr në pah keqtrajtimin e grave gjatë lindjes, në Ballkanin Perëndimor

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!


Një studim i ri nga UNFPA, agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, i publikuar të enjten, ka gjetur se keqtrajtimi i grave gjatë lindjes ose procesit të lindjes është i përhapur në Ballkan, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Raporti thekson procedura të kryera pa pëlqimin e pacientes, si epiziotomitë, prerjet cezariane ose administrimi i oksitocinës. Ai gjithashtu thotë se abuzimi verbal ndaj grave shtatzëna është i zakonshëm dhe se gratë më të reja, ato ekonomikisht të cenueshme dhe gratë me nivel më të ulët arsimimi kishin shumë më tepër gjasa të raportojnë se janë keqtrajtuar.

“Anketa zbuloi se dy në tre të anketuara raportuan të paktën një formë keqtrajtimi. Kjo përfshin procedura mjekësore pa pëlqim, abuzim verbal dhe fizik, si dhe shkelje serioze të privatësisë”, thuhet në një deklaratë të UNFPA-së.

Në raport theksohet se nga të gjitha vendet e përfshira në anketë, “shkalla më e lartë e pakënaqësisë u regjistrua te të anketuarat nga Ballkani Perëndimor, konkretisht nga Shqipëria, Serbia dhe Kosova”.

Raporti me titull “Respectful Maternity Care: Women’s Experiences and Outlooks in Eastern Europe and Central Asia” (Kujdesi dinjitoz në maternitet: Përvojat dhe pikëpamjet e grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore) bazohet në një anketë online me mbi 2,600 gra që kanë lindur së fundmi dhe u zhvillua në 16 vende.

“Këto gjetje janë një thirrje serioze zgjimi. Çdo grua ka të drejtë për standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit, i cili duhet të përfshijë kujdes dinjitoz dhe respektues gjatë lindjes”, tha Florence Bauer, drejtoreshë rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.

“Dhuna obstetrike nuk është vetëm një çështje klinike; ajo është një shkelje e të drejtave të njeriut që i lë gratë të ndihen të pafuqishme dhe të shqetësuara, me pasoja afatgjata për shëndetin dhe mirëqenien e tyre”, shtoi Bauer.

Një investigim nga BIRN në vitin 2021 zbuloi se lindja shpesh perceptohet si një përvojë traumatike në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Shumë gra që iu përgjigjën një pyetësori të BIRN mbi përvojën e sjelljes në jetë të një fëmije në Bosnjë dhe Hercegovinë, Shqipëri, Kroaci, Greqi, Hungari, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Rumani dhe Serbi pretenduan “neglizhencë mjekësore” ose u ankuan për qëndrimin e stafit mjekësor. Megjithatë, pak prej tyre thanë se kishin paraqitur një ankesë zyrtare ose kishin ngritur padi për këtë.

Marrë nga Reporter.al

Share This Article