Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, kërkoi forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe mbështetje të plotë për punën e SPAK, gjatë konferencës për shtyp në përfundim të misionit të tij vjetor të mbledhjes së fakteve në Tiranë.
“Puna e SPAK të mbetet e pandërprerë nga aktorë të tjerë dhe puna e SPAK të mos pengohet nga institucione të tjera”, tha ai. Sipas tij, të gjitha hallkat institucionale duhet të bëjnë pjesën e tyre për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor dhe përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
I pyetur për protestat e dhunshme të opozitës, Schieder u shpreh qartë se dhuna nuk është mjet i pranueshëm në një demokraci funksionale. “Demokracia me molotov nuk është e mirë”, deklaroi ai, duke shtuar se konfliktet politike duhet të zgjidhen me argumente dhe dialog në skenën politike, jo me përshkallëzim dhune.
Raportuesi i PE nënvizoi gjithashtu se situata politike në Shqipëri nuk është aq dramatike sa shpesh paraqitet në media, duke bërë thirrje për përgjegjësi në mënyrën se si pasqyrohen zhvillimet, pasi kjo ndikon edhe në perceptimin e qytetarëve europianë për vendin.
Në lidhje me deklaratat e Sali Berishës, Schieder u shpreh se nuk mund të komentojë çdo pretendim individual, pasi kjo do ta nxirrte jashtë rolit të tij institucional. “Mos më shtyni të komentoj çdo gjë që thotë Berisha”, u tha ai gazetarëve.

