Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica do t’i mungojë Norwich Cityt deri në katër javë për shkak të lëndimit në ijë, ka njoftuar të premten skuadra nga Premier League.
Rashica nuk u aktivizua fare te Norwichi në ndeshjen e fundit ndaj Newcastlet, por skanimet e reja kanë konfirmuar mungesën e Rashicës për periudhë më të gjatë. Trajneri i Norwichit, Dean Smith ka thënë se askush në klub nuk ka pritur që Rashica të mungojë për katër javë, por ka shtuar se pret ta ketë në dispozicion sulmuesin kosovar prej vitit të ardhshëm.
“Ne menduam se Miloti kishte një problem të lehtë me ijë, por pas një skanimi, duket lëndim më serioz. Mendojmë se ai do të jetë jashtë fushës për tre deri në katër javë”, është shprehur Dean.
Rashica 25-vjeçar iu bashkua ekipit anglez para fillimit të këtij edicioni dhe deri më tani ka 14 paraqitje dhe një asistim në të gjitha garat.