Kur dëgjova lajmin e parë për tragjedinë e 11 shtatorit, mendja më shkoi menjëherë tek shqiptarët që punonin në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë.
Vallë, a do të kenë shpëtuar? Unë njihja tre prej tyre: Bardhyl Qukun, nënpresident i një kompanie investimesh dhe vajzën e tij Lorin, si dhe Rrok Camajn, i cili pastronte xhamat e jashtëm të kateve më të larta të ndërtesës.
Po atë ditë u mor vesh se Rroku ishte shpallur i humbur. Pas disa ditësh u dha njoftimi për vdekjen e tij. Fatin e Rrokut e patën edhe dy shqiptarë të tjerë: Simon Dedvukaj e Mon Gjonbalaj. Ndërkaq, Bardhyl Quku pati fat tjetër. Nuk ndodhej brenda në ndërtesë, kur ngjau tragjedia.
Ai e kishte zakon shpesh të shkonte në punë pas orës dhjetë. Edhe vajzat e tij, Lori dhe Daniella, qenë me fat. E para, atë ditë kishte shkuar te dentisti, e dyta, kur mori vesh për sulmin në ndërtesën nr. 1, nga kati 73 zbriti shkallët dhe doli jashtë.
– Unë isha në zyrë, kur dëgjova udhëzimet se të gjithë duhej të dilnim nga ndërtesa. Zbrita shkallët dhe, kur arrita në katin 40, dëgjova njoftimin tjetër se të gjithë duhej të ktheheheshim në vendet e punës, sepse nuk parashihej ndonjë rrezik.
Mirëpo, unë sikur e parandjeva se edhe këtu do të ndodhte ajo që ndodhi në ndërtesën e parë. Me shumë mundime dola nga ndërtesa tamam në kohën kur ajo u godit, – tregon Daniella, e cila sot punon në “2 Penn Plaza” në New York bashkë me babanë, Bardhylin.
– Unë njëkohësisht përjetova tmerrin, por dhe mrekullinë, sepse arrita me kohë t’i shpëtoja vdekjes, – thotë Daniella. Ajo filloi punën në zyrën e të atit para tri vjetësh.
– Unë isha në qytetin Hoboken të New Jersey-t, duke shkuar në punë me tren, kur dëgjova për aktin terrorist në ndërtesën e parë. Tymi e zjarri shihej qartë që atje.Pas disa minutash pamë sulmin në ndërtesën e dytë. Ne dolëm të gjithë nga treni dhe po shihnim tmerrin me sy. U përpoqa t’i telefonoja Daniellës, por lidhjet ishin bllokuar. Pas pak kohe mora vesh nga bashkëshortja se ajo kishte shpëtuar, – thotë Bardhyli.
Më 23 shtator të vitit të kaluar ai kaloi në zyrën e re në “2 Penn Plaza” në qendër të Manhattan-it, bashkë me dy vajzat, Lorin e Daniellën. – Puna në fillim këtu ka qenë shumë e vështirë. Humba gjithë dokumentacionin që pata në zyrën e vjetër. Gjithçka duhej ta filloja nga e para, – thotë ai.Mund të fitosh vetëm kur pranon rrezikun e mundshëm
(Shkruar përpara sulmit terrorist, kur Quku ende punonte në Qendrën Botërore të Tregëtisë, të njohur ndryshe si kullat binjake në New York)
Në katin e 73-të të ndërtesës “World Trade Center” në New York, midis njerëzve më të njohur të botës në biznes, punon edhe një shqiptar. Të vjetrit e njohin më shumë nga babai i vet që ka qenë përherë luftëtar i devotshëm për Shqipërinë. Të tjerët mund të kenë dëgjuar për të si ligjërues për biznesin në universitete, insitute ose ngaqë kanë lexuar intervistat e tij në gazeta.
Kur në gazetën “The New York Times” para një viti e ca lexova shkrimin për shqiptarin që pastronte xhamat e jashtme të dy ndërtesave 107 katëshe të New York-ut, pyeta disa emigrantë të vjetër: “A ka ndonjë shqiptar që punon brenda në këta rrokaqiej?” Asnjë nuk e dinte se në katin e 73 -të të njërës prej këtyre “binjakeve” aq të njohura në tërë globin tokësor, bënte biznes Bardhyl Quku, i lindur në Shkodër dhe i rritur e edukuar në Amerikë.
Bardhyl Qukun e takova më vonë. Një bashkëpunëtor i gazetës “Illyria” më tregoi se cili ishte ai, ku punonte e me se merrej.
– Më shumë se për veten time, do të doja të flisja për babain tim që ishte një luftëtar i Ballit, i idealit për Shqipërinë etnike, – më tha Bardhyli në shtëpinë e tij të bukur në lagjen e pasanikëve të njohur të Amerikës në New Jersey, në Franklin Lakes, gjatë një koktejli që kishte organizuar për xhaxha Fetiun e persekutuar, mysafir nga Shqipëria dhe disa miq të tij të vjetër.
Atë mbrëmje biseduam më tepër për Faik Qukun, babain e mikpritësit. Në çdo dhomë shihja nga një fotografi të tij. Diku i veshur me uniformë e me kobure në brez, diku në kampe të Italisë e në Amerikë.
Jetën e babait të tij e ke vështirë ta përfshish në korniza të një shkrimi si ky. Ajo ishte një histori më vete: kapiten i dytë i Ushtrisë Shqiptare në mbrotjen e Shkodrës nga malazezët; i arsimuar në shkollat e larta ushtarake të Stambollit e të Parisit; përkrahës aktiv i qeverisë së Nolit më 1924; luftëtar në mbrojtjen e Sirisë kundër Anglisë; ndër kryesuesit e lëvizjes së Ballit Kombëtar në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore… Ky është përshkrimi i shkurtër i jetës së kolonel Faik Qukut, i cili vdiq në Amerikë më 1963. Pas shembjes së diktaturës, presidenti Berisha e dekoroi për devotshmëri ndaj atdheut.
Me Bardhyl Qukun u takova sërish pas disa ditësh në zyrën e tij të punës. Se ç’m’u kujtua përsëri Rrok Camaj, pastruesi i xhamave në katin 107 të kësaj ndërtese gjigante dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë që e sigurojnë jetesën duke pastruar zyrat e banesat e Manhattan-it. Dhe ndjeva një krenari në këtë çast që kisha pranë një shqiptar të një kategorie tjetër.Bardhyl Quku, nënkryetar për investime në kompan- inë “Dean Witter Discover”, anëtar i Klubit të Presidencës – çmimi më i lartë i kësaj kompanie, me profesion është ndërmjetësues për investime (stock broker), një punë që bazohet në gjetjen e aksioneve blerëse për klientët. Nga realizimi i një shit – blerjeje ku Bardhyli është ndërmjetë- sues, nëse blerësi realizon një fitim të caktuar, një përqind- je mbetet në xhepin e tij. Nëse ndodh e kundërta, gjë që sipas Bardhylit ka ndodhur më rrallë, humb vetëm blerësi, pa u dëmtuar ndërmjetësi i biznesit. Para se të fillonte këtë punë më 1967, Bardhyli punoi tri vjet si drejtor i punimeve në kompaninë ajrore “Pan Am” në Afrikë.
-Çdo personi që pranon rrezikun, por që synon të fito- jë sa më shumë, mund t’i gjej aksione blerëse në kompanitë më të mëdha. Unë blej aksione, të cilat mendoj se janë tërheqëse për klientët. Gjatë këtyre 28 vjetëve, kam pasur vite të mira e të këqia. Shumica kanë qenë të mira, – thotë Bardhyli, tek tregon për përvojën e vet në investime.
– Në ç’mënyrë keni arritur ta kurorëzoni punën me sukses?- e pyes unë.
– Duhet të kuptosh se për çfarë ka nevojë personi, jo çfarë dëshiron ai. Nëse një 60 vjeçar kërkon të investojë, ai nuk duhet t’i fusë paratë në aksione blerëse me fitime të mëdha që mund të sjellin edhe humbje. Kjo do të thotë se një person me moshë të tillë, nuk mund të rrezikojë aq shumë. Analoge me këtë mund të marrim shembullin e një 30 vjeçari, i cili mund ta pranojë humbjen. Sa më shumë fiton investuesi, po aq i madh është edhe rreziku i humbjes. Pra, investuesit i duhet shpjeguar: kaq mund të fitosh, por po kaq edhe mund të humbësh. Në Amerikë, nëse njeriu pranon rrezikun e mundshëm, ka shans të fitojë shumë para, – thotë Bardhyli, i cili ka kryer fakultetin për administrimin e biznesit në “University of Tulsa” dhe ka magjistruar në “Fairleigh Dickenson University”, në degën e financave.
Si njohës i shkëlqyer i teorisë së “stock market”-it, Bardhyli ka mbajtur shumë seminare në kompani e universitete të njohura të Amerikës si, IBM, AT & T, Exxon, Fordham University, St. John’s University, Harvard Business School, New York University etj. Një herë në muaj u drejton letra investitorëve amerikanë ku shpreh idetë e veta rreth mënyrës se si të investohet, ndërsa në gazeta të ndryshme ka botuar herë pas here artikuj mbi investimet.
– Kur u flas njerëzve për investime, u bën përshtypje ajo që them dhe kërkojnë që unë të investoj paratë e tyre. Në këtë mënyrë kam arritur të gjej klientët e mi të shumtë, – thotë Bardhyli, i cili është këshilltar i shumë investitorëve e ndërmarrjeve. Investimet e deritashme individuale të klientëve arrijnë në 100 milionë dollarë, ndërsa ato të ndërmarrjeve në 200 milionë.
Që nga rënia e diktaturës në Shqipëri, Bardhyl Quku ka qenë disa herë në Shqipëri. Herën e parë atje shkoi që të takonte të afërmit, të cilët s’i kishte parë për 50 vjet. Herën e dytë, për të marrë pjesë në një tubim në Shkodër në përkujtim të babait të vet. Herën e tretë në një konferencë për investime në Tiranë e pastaj, edhe disa herë të tjera. Duke qenë tepër i zënë me punë në New York, ai mund të qëndrojë atje, të shumtën, një javë.
– Kur të kem kohë më tepër, – thotë Bardhyli – do të shkoj me familjen në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e do të qëndroj më gjatë.
***
Bardhyli ishte 5 vjeç kur u largua nga Shkodra. U lind më 1939, kur Shqipërinë e invadoi Italia fashiste. Gjatë viteve 1944 – 49, bashkë me prindërit, vëllanë dhe motrën qëndroi në Itali prej nga emigroi në Amerikë. Ndonëse ishte i vogël kur u nis me anije rrugës së mërgimit, nga kujtesa e tij nuk janë shlyer disa ngjarje të tmerrshme.
Tmerret e jetës mbeten më gjatë në kujtesë e nuk har- rohen kollaj. Ai mban mend jo vetëm ditën kur u nis në mërgim, por dhe diçka tjetër: pushkatimin e të dënuarve në qendër të Shkodrës më 1944.
– Nuk do ta harroj kurrë atë ditë kur kalova afër viktimave, të pushkatuar nga komunistët. Trupa të përgjakur, syhapur, të masakruarr nga dora kriminele. Kur zbritëm nga kamioni që na solli deri në anije, personin që ishte afër meje, me të zbritur në tokë, e vranë komunistët. Pastaj duke udhëtuar me anije, më zuri deti. U sëmura rëndë, – kujton Bardhyli.
– Si ju duk Shqipëria, kur e vizituat pas rënies së komunizmit?
– Qytetet ishin shkatërruar nga diktatura. Sa keq më vinte kur i shihja tërë ato fabrika e shkolla të braktisura e mos më keq. Në aeroport dhe ndanë rrugëve shihje vetëm trungje të prera. Fshatrat e rrethi i qyteteve nuk qenë shkatërruar aq shumë dhe ato kishin një farë potenciali ekonomik për t’u zhvilluar. Shqipëria ka nevojë për fabri- ka që do të punësonin njëqind deri në dyqind njerëz secila, – pohon Bardhyli.
– Po investitorët amerikanë? Numri i tyre është i vogël. Kanë ata levërdi të investojnë në Shqipëri?- e pyes Bardhylin.
– Nuk e di, a do t’i tërheqë dot Shqipëria investitorët amerikanë. Ata kanë më shumë levërdi të investojnë, ta zëmë, në Meksikë, meqë ky shtet është afër tyre. Njëra nga arsyet që Shqipëria nuk është aq tërheqëse për investitorët amerikanë, është edhe lufta që zhvillohet në Bosnjë. “Ç’do të ndodhë me investimet tona, nëse lufta shtrihet edhe në jug?”, thonë ata. Apo, nëse bie regjimi i Sali Berishës, regjimi tjetër a do të ketë disponim pro – amerikan? Pra, nga të gjitha këto, amerikanët kanë frikë të investojnë në Shqipëri. Investuesit më të mëdhenj që kam parë atje, ishin italianë e gjermanë, por jo amerikanë. Madje, dy të tretat e botës tani kanë nevojë për ndihmë dhe do të jetë vështirë për Shqipërinë të tërheqë kapitalin e huaj, – thekson Bardhyli.
Bardhyl Quku është i martuar. Çifti bashkëshortor Bardhyl e Geraldine Quku ka pesë vajza. Lori J. Quku, njëra nga vajzat e tyre, punon me babanë duke e ndih- muar që t’i përballojë më lehtë angazhimet e përditshme, disa nga të cilat nganjëherë është e vështirë të kryhen nga një krah pune. Lori, 24 vjeçe, ka pesë vjet që punon atje si asistente e shitjes dhe merr pjesë bashkë me Bardhylin në transaksionet e tij. Edhe dy motrat e saj bëjnë të njejtën punë.
– Që të kesh sukses, duhet durim. Asnjëherë s’duhet të entuziazmohesh apo të dëshpërohesh me rezultatet e momentit. Nëse nuk ke sukses në një moment, mos u dëshpro, mos u tërhiq, por vazhdo, pëpiqu të hedhësh hapa të tjerë. Punë dhe durim. Ky është suksesi, – thotë Lori Quku, e cila u diplomua në “Rutger’s College”, në New Brunswick (New Jersey)./ Nga Vehbi Bajrami